Nisur nga situata e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore, në të gjitha gjykatat e vendit, deri në datën 22 prill, duke përjashtua çështjet urgjente.
Gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale, do të zbatojnë ligjin duke garantuar mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi, ku përcaktojnë cilat çështje do të kategorizohen si urgjente.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i bën thirrje publikut, të mos paraqitet pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh vlerësimin maksimal për ata punonjës të Drejtësisë, që janë të detyruar t’i ofrojnë publikut shërbimin e tyre edhe në këtë kohë, në kushte të vështira pune.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedenta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara. Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.