Aktualitet23 Maj 2022, 16:38

Pikëpyetjet e “romanit kriminal” ‘Dumani’!

Shkruar nga Pamfleti
Pikëpyetjet e “romanit kriminal” ‘Dumani’!

Pikëpyetjet e “romanit kriminal” ‘Dumani’!

A thotë të vërtetën Nuredin Dumani për të gjitha çfarë është shprehur në “romanin kriminal” që ka “qëndisur” para prokurorëve?

Ai që e shpërndau rrëfimin thuajse të plotë të vrasësit më famëkeq të viteve të fundit në Prokurorinë Speciale, Nuredin Dumanit, ja ka arritur qëllimit që të marrë vëmendjen e duhur.

Prej një jave, edhe pse Shqipëria është në kulmin e  zhvillimeve politike, publiku është i ngulitur pas “romanit kriminal Dumani” që ngjan mjaftueshmërisht me novelat e firmave të mëdhenj të zhanrit “noir”: Georges Simenon, Agatha Christi, apo edhe mjeshtrit të Sherkol Holmes: Sir Arthur Conan Doyle.

Kemi dëgjuar llahtara drithëruese të instikteve më të ulëta njerëzore; që nga vrasjet më makabre me gjak të ftohtë, të shoqëruar me një suspense që ka mbajtur audiencën në seritë e kësaj telenovele kriminale.

Po a ka arritur ky “roman kriminal” të shndërrohet siç dhe duhet të jetë në një material i qartë dedektiv i mbushur me prova për të gozhduar bandat më të mëdha kriminale të Shqipërisë që përmenden në të?

Fakt është se fillimisht “elitën” kriminale të vendit që përmendet në materialin e SPAK ne e kemi jashtë, por gjithsesi, prokuroria bashkë me gjykatën kanë ndërmarrë aktet ligjore për t’i gozhduar në qelitë e burgut.

Një rrëfim i të penduarit, apo dëshmitarit të drejtësisë, ka sjellë në fund të shekullit të shkuar sukses në kapjen dhe dënimin e grupeve më të rrezikshme e fuqishme kriminale në botë. Por ajo përvojë ka treguar se, jo gjithmonë të penduarit kanë sjellë rezultate të pritshme. Me rastin e të penduarit kryesor të procesit ndaj Cosa Nostras Siçiliane, Tomaso Bushetës, gjykatësi Giovani Falcone, i cili sot ka përvjetorin e vrasjes në një atentat makabër, i kishte qepur të gjitha letrat e tjera; i duhej një dëshmi për të plotësuar puzzlen finale për të gozhduar kupolën mafioze. Që nga paratë që lëviznin në banka, skemat e tenderëve publikë dhe të pastrimit, por edhe prova shkencore për krimet e tyre.

Ndërkaq, ka pasur raste të tjera, kur të penduar mafiozë, që i janë dorëzuar shtetit, e që kanë rrëfyer për ngjarje të bujshme, rezultuan trillime.

Baldassare Di Maggio, një killer mafioz nga rrethinat e Korleones, që ka shërbyer edhe si shofer i Toto Rinës, ishte i penduari që ndihmoi policinë në arrestimin e kreut të kupolës së Cosa Nostrës.

Ai gjithashtu rrëfeu para prokurorëve të Palermos se Kryeministri i Italisë, Xhulio Andreoti e ka takuar Rinën disa herë, madje ato janë puthur me njëri tjetrin. Akuzë që e baltosi Andreotin më shumë se akuzat që rëndonin mbi politikanin protagonist të Italisë gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

Por në fund, deklarimet e Di Maggios, rezultuan një trillim dhe të pavërteta. Të gjitha shkallët e gjyqësorit që e gjykuan çështjen theksuan se kjo deklaratë nuk është e vërtetë.

Ndërkaq, Gaspare Mutolo dhe Xhuzepe Markeze, dy killera të Rinës që u penduan, akuzuan shefin e policisë dhe të shërbimeve sekrete të Siçilisë, Bruno Kontradën si mafioz. Kontrada u arrestua, e ndejti gjatë në burg, por gjykata vendosi në fund se dy të penduarit gënjyen. Kontrada u sëmur me kancer çka shkaktoi një dikutim të gjatë publik në marrjen parasysh të të penduarve. E kështu ka qenë vetë DIA italiane por edhe prokuroritë antimafia të Palermos dhe Napolit, të cilat kanë rishikuar procedimin e tyre nëpërmjet të penduarve.

Një i penduar, përgjithësisht është një person i cili ka pranuar bashkëpunimin si të vetmen rrugë që i ka mbetur pas maleve të krimeve. Nëse do të qëndrojë i lirë do të vritet nga armiqtë, jo vetëm ai por edhe familjarët dhe miqtë e tij; nëse do të akuzohet normalisht do ta kalojë gjithë jetën në burg.

Bashkëpunimi me drejtësinë i jep të penduarit një mundësi për të mos qëndruar gjithë jetën në burg, si dhe të shpëtojë familjarët, duke i strehuar në vend të sigurtë.

‘I penduari’ është praktikë që e përdorin në SHBA, në Itali sidomos, por edhe në vende të tjera. Ndërkaq, policitë dhe drejtësitë europiane përdorin të ashtuquajturin “dëshmitar i mbrojtur”, i cili është përgjithësisht një shtetas që ka dijeni për krimet, por jo i zhytur në krime siç janë përgjithësisht “të penduarit”.

Por a thotë të vërtetën Nuredin Dumani për të gjitha çfarë është shprehur në “romanin kriminal” që ka “qëndisur” para prokurorëve? SPAK-ut i takon që të mbrojë akuzën e tij, duke mos lënë që rrëfimi të rezultojë një tollumbac që shfryhet rrugës, pasi nuk është thjeshtë besueshmëria e një institucioni shumë të rëndësishëm të drejtësisë së re, por edhe reputacioni i të penduarve në të ardhmen.

Në të shkuarën, të penduarit janë keqpërdorur vetëm për të thënë gjëra që më pas nuk kanë rezultuar efektive. Vërtetë është pas hekurave Aldo Bare, i cili prej 2005 është në burg. Por Banda e Lushnjës nuk ka pushuar së funksionuari asnjë ditë, duke i ruajtur të gjitha asetet në qytet dhe në Lagunën e Karavastasë. Madje duke kujtuar se është e fortë, me anë të vrasjeve të tmerrshme që kryhen në Lushnjë të paktën çdo 6 muaj.

Lul Berisha e Indrit Dokle, vërtetë që u prangosën pas rrëfimit të të penduarit Adriatik Coli, por sot e kësaj dite dy kapot e bandave të Durrësit jetojnë jashtë, në zona rezidenciale, me lidhje të forta në politikë dhe mes luksit e pasurisë…/Pamfleti

Kryesore #Pikëpyetjet e “romanit kriminal” ‘Dumani’!