Shtangisti, ish-kampion bote, Pirro Dhima në një rrëfim për mediat greke, për historinë e fëmijërisë dhe fillimet e karrierës së tij në Shqipëri, ka saktësuar origjinën, në përgjigje të një shkrimi nga një gazetare greke pak ditë më parë.
Pas përgjigjes që i dha gazetares, Elena Akrita “Unë jam grek i lindur në Shqipëri” pasi ajo e quajti me origjinë shqiptare, Dhima ka folur edhe njëherë mbi kombësinë e tij për të “sqaruar debatin”. Ai në një intervistë për mediat fqinje tha se është puro grek dhe se nuk ka fare lidhje me shqiptarët.
“Unë jam grek i lindur në Shqipëri, në Himarë nga gjyshi te gjyshi. Kjo është nderi im dhe krenaria ime. “Zonja Akrita shkroi një artikull në favorin tim dhe e falënderoj për fjalët e saj të mira. Por jo me origjinë shqiptare! Unë jam grek nga gjyshi te gjyshi. Unë nuk kam asnjë lidhje me shqiptarët. Gjyshja ime u kujdes për mua, ajo më mori nga babai im nga Tirana sepse familja ime ishte e zënë me punë, dhe kështu që foshnjë isha në Himarë me gjyshen time. Grua e mrekullueshme dhe e mençur,” u shpreh ai.