Kronike10 Prill 2022, 09:55

Pjesë e grupeve të trafikut të drogës, arrestohet me urdhër të SPAK 35-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti
Pjesë e grupeve të trafikut të drogës, arrestohet me

Në kuadër të operacionit “FIVE”, ku u arrestuan 35 persona rreth një muaj më parë, policia ka vënë në pranga sot një tjetër person. Me urdhër të SPAK është arrestuar një 35-vjeçar, i cili akuzohet se është pjesë e një grupi të strukturua kriminal.

“Specialistët e Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë bënë kapjen e shtetasit në kërkim A.(K). T., 35 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ”SPAK”, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale“Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Materialet u referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Operacioni “FIVE” u zhvillua më 10 mars dhe u angazhuan Drejtoria Hetimore, RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Elbasan dhe Kukës. Në pranga përfunduan 35 persona.  Gjatë hetimit proaktiv 3-vjeçar është provuar veprimtaria e kundërligjshme e 5 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Prrenjas, gjatë periudhës mars 2019-nëntor 2020.

Kronike arrestohet drogë Vlorë