
Plani Franko- Gjerman definon kufirin me orthodoksinë pravosllave
Nëse e pranon planin Serbia i kthehet vetvetes, nëse e refuzon, kthehet në llogore të luftës.
Shkruan Fadil Lepaja
Është në dorën e Serbëve të zgjedhin: me Evropë apo nën Evropë! Nëse zgjedhin Evropën duhet të reformohen plotësisht, të depolitizojnë kishën, të heqin dorë nga projekti luftarak i Serbisë së madhe, ose do të demilitarizohen, denacifikohen dhe do të okupohen nga NATO sikurse dikur Gjermania për t’u përfshirë në procesin e integrimeve euro-atlantike.
Padyshim plani gjermano- francez i cili ndjek logjikën e bashkëjetesës së dy Gjermanive nga koha e luftës së ftohtë, në fakt është pajtim i evropianëve me idenë se Serbët nuk duan të hynë në Evropë, nuk janë të zotët të reformohen, se serbët janë të lidhur fuqishëm me shoqërinë, ideologjinë dhe shtetin rus dhe se përfundimisht si masë mbrojtëse duhet tërhequr një linjë e kufirit në Drin që vazhdon përmes kufirit me Malin e Zi, përgjatë kufirit me Kosovën deri në mbyllje të aksit rrugor që e lidhë korridorin e 10-të me Selanikun.
Përderisa Muri i Berlinit dikur i ndante dy vende me ideologji të ndryshme, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë paraqet vijën ndarëse në mes të ortodoksisë pravosllave dhe pansllavizmit me perëndimin. Ashtu si kishte mbetur 1/3 e popullit gjerman në lindje, tash përafërsisht 1/3 e popullit serb do të mbetet në zonat e kontrolluara nga perëndimi, ku në Kosovë numri i serbëve do të jetë më i vogël por qendrat ideologjike të fundamentalizmit ortodoks serb do të mbeten aty, ku i kishte ndërtuar dikur në kohët më të arta të perandorisë mesjetare, në tokat e pushtuara.
Ndërkohë që në rrafshin politik, oferta evropiane për Serbinë është: lëre njërën karrige, karrigen ruse në fakt dhe mbahu fort për karrigen evropiane, se po nisemi. Ose me Rusinë ose me Evropën e ka kuptimin oferta. Edhe pse nuk duket zgjidhje e vështirë për asnjë vend tjetër evropian apo ballkanik, megjithatë elita serbe nuk duket e entuziazmuar me ofertën evropiane. Ata e shohin Rusinë si superfuqi dhe si engjëllin e vet mbrojtës falë së cilës edhe e fituan autonominë në vitin 1878, ndërkohë që ideja ruse se Bashkimi Evropian po numëron vitet e fundit të ekzistencës, është përralla në të cilën Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, bashkë me Kishën Pravosllave Serbe, duan ta besojnë. Jo vetëm se e besojnë por edhe me tërë kapacitetet e aparatit propagandistik, e promovojnë. Serbët e ndiejnë veten te rrethuar nga të gjitha anët, ndërkohë që në kuptimin politik me të vërtetë, Serbia vazhdon të mbetet e rrethuar nga Evropa dhe NATO në të gjitha anët.
Viteve të fundit pasi i kishin liruar nga kontrolli rus dhe serb, në NATO u bashkëngjitën edhe Mali i Zi me Maqedoninë Veriore duke e mbyllur kështu rrethin e hekurt që ndanë ortodoksinë lindore serbe prej ortodoksisë bizantine.
Kjo mungesë entuziazmi e çuditshme për kulturat dhe popujt e kthyer nga e ardhmja dhe kah bashkëpunimi regjionale e kontinental, në fakt është krejtësisht e kuptueshme kur kihet parasysh që shteti dhe shoqëria serbe mbështeten në dy shtylla ideologjike: koncepti mesjetar dhe agresiv i KOS-it dhe pansllavizmit . Kisha Pravosllave Serbe (KOS) synon të jetë qendra ideologjike e Ballkanit, ndërsa Kosovën e ka menduar si “Vatikanin” e vet, siç edhe u shpreh patriarku serb, kur u pengua të hynte në territorin shqiptar.
Ajo që mbetet e paqartë është nëse Evropa dhe SHBA po heqin dorë nga Serbia dhe po angazhohen që përkohësisht ta neutralizojnë atë duke mos e lejuar që të pengojnë përpjekjen perëndimore në Ukrainë për të mos hapur një front të dytë, ashtu që pas përmbylljes së konfliktit në Ukrainë të merren me të veçantë, apo duan ta detyrojnë që qysh tani ti kthejnë shpinën Rusisë duke rrezikuar shpërthimin e brendshëm të nacionalizmit serb të mbyllur në kufijtë e padurueshëm të ngushtë për të dhe për tërë energjinë e mobilizuar ne tri dekadat e fundit rreth projektit të Serbisë së madhe, që nënkupton Bosnjën, malin e Zi , Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë. Është vështirë të parashikohet si do të shpërthejë në konflikte të brendshme ai aparat gjigant ushtarako- policor i ngritur në këmbë dhe i mbajtur mobil tri dekadat e fundit në luftë me të gjithë popujt dhe vendet përreth, duke e mbledhur në një territor aq të ngushtë si do të mbetej Serbia e izoluar. Kjo gjithsesi mund të rezultojë me një rezistencë të fanatikëve të fundit të cilët duke ikur nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte nëpër ish Jugosllavi do të luftonin për jetë a vdekje.
Plani Franko- Gjerman, në fakt ka mbetur i vetmi instrument politik, pas përpjekjeve destruktive serbe që të krijojnë kriza të vazhdueshme në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi, duke i dhënë energji rezistencës përmes mitit të Kosovës.
Shkëputja dhe përfshirja në institucionet ndërkombëtare për Kosovën e ndërron rrënjësisht pozitën e Serbisë dhe nxitë reformat e duhura brenda vetë shtetit serb, kështu që ky plan mbetet përpjekja e fundit paqësore e perëndimit për ta mbajtur hapur rrugën evropiane për Serbinë dhe duke i dhënë rast që të vetëreformohet. Refuzimi serb i planit e qon Serbinë në izolim, i cili do të përfundonte me një kapitullim të ri të saj, natyrisht duke e përjashtuar opsionin që Rusia të fitojë konfliktin në Ukrainë.
Nëse e pranon planin Serbia i kthehet vetvetes, nëse e refuzon, kthehet në llogore të luftës./Pamfleti