
Mediat dhe analistët serbë kanë komentuar qëndrimin e presidentit Vuçiç mbi planin franko-gjerman dhe sipas tyre, nuk ka asnjë gjasë që ai të kërkojë referendum për pranimin apo jo të këtij dokumenti.
Qëndrimet e presidenti serb Aleksandër Vuçiç sa i takon planit franko-gjerman kanë ngjallur mjaft reagime. Në korridoret e politikës serbe flitet se mund të ketë dhe një referendum. Mirëpo për analistë nuk ka për të ndodhur një gjë e tillë.
Sipas tyre, ka më shumë gjasa që ky dokument të miratohet nga Kuvendi i Serbisë, siç u bë në rastin e Marrëveshjes së Brukselit dhe qytetarët do ta thonë fjalën e tyre në referendum vetëm me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e cila mund të të bëhet njëkohësisht me hyrjen e Serbisë në BE.
Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia e ka “pranuar” konceptin e marrëveshjes, bazuar në propozimin franko-gjerman, pa hyrë në detaje se çfarë përfshin. Ai tregoi se cilat do të ishin pasojat nëse nuk pranohej ai propozim.
“E di se çfarë do të vendos, por jo në emër të Serbisë”. Në emër të Serbisë kuptohet – përndryshe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë – organet e tjera kompetente shtetërore (parlamenti) dhe mundësisht edhe qytetarët”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç në fjalimin e tij drejtuar kombit.
Kur foli për deklarimin e mundshëm të qytetarëve, mund të konstatohet se Vuçiç e kishte fjalën për shpalljen e referendumit, por pakkush beson se ai do ta bëjë këtë realisht.
Sipas mendimit të disa njohësve të së drejtës kushtetuese, nëse nuk bëhet fjalë për njohjen formale të Kosovës së pavarur dhe nënshkrimin e një akti politik, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Brukselit, qeveria nuk është e detyruar të shpallë referendum.
Sllobodan Orloviç, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik në Novi Sad, thotë se çdo ndryshim i territorit sipas Kushtetutës nënkupton shpalljen e referendumit.
“Nëse kjo do të thotë ndryshim i kufijve, sigurisht që populli do të duhet të shprehet për këtë, sepse është një nga pikat e procedurës së hartimit të kushtetutës”, tha Orloviç për “Nova”.
Edhe pse nuk e kemi parë propozimin zyrtar, e sigurt është se në propozimin franko-gjerman nuk përmendet njohja formale. Duke gjykuar nga non-paperi i publikuar deri tani, nënshkrimi i asaj marrëveshje do t’i mundësonte Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës e deri te Bashkimi Evropian dhe NATO.
I pyetur se a do të detyrohej qeveria të shpallë referendum në atë rast, bashkëbiseduesi ynë thekson se nuk do ta bënte.
“Serbia nuk ka asnjë mekanizëm në dy nga ato tre organizata – BE dhe NATO- sepse nuk është anëtare dhe nuk mund të ndikojë te anëtarësimi. Sa i përket Këshillit të Evropës, ai është vetëm anëtar, por nuk ka të drejtë vetoje. Ne mund të kundërshtojmë vetëm hyrjen në OKB, por jo si anëtare e OKB-së, por si dikush që përfundimisht do të mbështetej nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, anëtarët e përhershëm Rusia dhe Kina”, thotë Orlović.
I pyetur nëse përmendja e anëtarësimit të Kosovës në OKB do të kërkonte shpalljen e referendumit, ai deklaron – jo në mënyrë eksplicite.
Bojan Klaçar, drejtor ekzekutiv i Cesid, deklaron për “Nova” se Vuçiç nuk ia ka mbyllur derën thirrjes së referendumit, por sipas asaj që tani kemi mundësi të shohim nga deklaratat e tij, ai opsion nuk është mes prioriteteve.
“Arsyeja e parë është se kjo marrëveshje, nëse do të mbetej në këtë formë, ka shumë mundësi që të mos shkojë para qytetarëve. Nëse mbetet si marrëveshje politike, si një lloj vazhdimësie e Marrëveshjes së Brukselit apo si ndonjë hap i ndërmjetëm. Një marrëveshje tashmë është nënshkruar, Marrëveshja e Brukselit, pa dalë para qytetarëve. Arsyeja e dytë është se kjo është sigurisht një fazë dhe ka shumë gjasa që referendumi do të duhet kur të arrihet faza e marrëveshjes finale”, tha ai/ Përshtati “Pamfleti” nga “Nova.rs”