Aktualitet 8 Shtator 2022, 23:20

· Dossier

Shkruar nga Pamfleti

Dy vite më parë kur diskutohej demarkacioni mes Serbisë dhe Kosovës Sheshel, përmes një postimi në Twitter, tha se Serbia duhet të përgatitet për të rimarrë Kosovën, pasi nga aty të tërhiqen forcat e NATO-s

“Duhet të punojmë gjatë kësaj kohe me modernizimin e ushtrisë dhe armatimit për të qenë gati për rimarrjen e Kosovës pas rënies së NATO-s. Ndërkohë, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Sheshel.

“Nuk duam kurrfarë demarkacioni me shqiptarët. Ne duhet të bëjmë demarkacionin në Shqipëri, diku në rripin e Durrësit. Perandoria Austro-Hungareze e krijoi Shqipërinë si një shtet artificial, për të parandaluar Serbinë të dalë në det. Në Shqipërinë e Veriut, është trashëgimia jonë. Atje është serbe, edhe toka dhe guri”, –shtoi ai në një postim të dytë në rrjetin social.

Në vijim botojmë  atë që njihet si “plani Sheshel” për shqiptarët. Detajet shokuese të projektit vijnëpër herë të parë të plota siç kanë dalë nga goja e tij në 1995.

 

“Një mijë vjet më parë, gurthemeli i shtetësisë serbe, i vetëdijes dhe kulturës së saj kombëtare, u pat krijua në Kosovë dhe Metohi. Që atëherë, asnjë shtet tjetër ligjor nuk ka ekzistuar në Kosovë e Metohi. Nga të gjithë popujt që kanë jetuar dhe punuar në këto vise gjatë gjithë kësaj kohe, rrënjët e popullit serb janë më të thellat dhe më të gjerat. Askush nuk mund ta imagjinojë një shtet serb pa Kosovën dhe Metohinë. Prandaj, mbajtja e Kosovës dhe Metohisë si pjesë integrale e Serbisë është po aq e rëndësishme sa është të mbash gjallë kombin serb.

Migrimi i serbëve dhe braktisja e shtëpive të etërve të tyre në Kosovë dhe Metohi qe fati i popullit serb.

Sundimi osman dhe mizoritë e shqiptarëve të islamizuar që u vendosën atje më pas, e bënë të pamundur që serbët të jetonin atje. Ata nuk patën zgjidhje tjetër përveç se të iknin larg për të shpëtuar fëmijët e tyre; ikën pa kthyer kokën pas, duke braktisur shtëpitë, pronat, varrezat e gjyshërve të tyre e për të qenë të sigurt në Serbi a gjetkë.

Migrimi i serbëve nga Kosova dhe Metohia ndodhi midis dy luftërave botërore, ndërsa vendosja e vullnetarëve serbë atje – parësisht luftëtarë – mbajti praninë e serbëve atje deri në një farë mase. Fatkeqësisht, kjo zgjati vetëm deri në Luftën e Dytë Botërore, kur, së pari fashistët pushtues, dhe pastaj komunistët rifilluan përzënien e serbëve dhe vendosjen e një numri të madh të emigrantëve nga Shqipëria.

Gjatë periudhës kohore 1944-45, regjimi komunist i pengoi serbët e dëbuar të ktheheshin dhe të rimerrnin shtëpitë e tyre, duke e konsideruar fakt të kryer rimodelimin e strukturës etnike të rajonit. Në të njëjtën kohë, shqiptarët u shpërblyen me autonominë e Kosovës dhe Metohisë, çfarë do t’u shërbente më vonë si fillesë për politikat e tyre për shkëputje. Pasojat e politikave të tilla anti-serbe ishte një numër i madh serbësh që u larguan nga Kosova dhe Metohia. Shqiptarët uzurpuan qindra hektarë tokë shtetërore dhe private-serbe, ndërsa manastiret, varrezat dhe vendet e tjera të shenjta të serbëve u kthyen në objekt të shkatërrimeve sistematike.

Në fund të viteve 1980, teksa përpiqej të mbahej në pushtet, regjimi komunist në Serbi deklaroi se do të ndiqte një politikë të drejtë kombëtare dhe folloi punën për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe Metohisë. Serbët u mashtruan nga ndryshimi i kushtetutës serbe, përmes së cilës autoriteti vendimmarrës iu kthye Parlamentit. Në letër, Serbia u bë një shtet i unifikuar, ndërsa premtimet e presidentit serb iu hapën rrugën rikthimit të serbëve në Kosovë dhe Metohi. Kjo ishte një mundësi historike të cilën regjimi aktual serb nuk arriti ta përmbushë.

Politika që Beogradi ka ndjekur karshi Kosovës dhe Metohisë motivohet kryekëput nga qëndrimet politike, duke dështuar, kështu, të adresojë interesat reale të popullit serb. Me aprovimin dhe presionin e bashkësisë ndërkombëtare, qeveria jonë ka lejuar në heshtje lëvizjen për shkëputje të shqiptarëve të bëhet më e fortë, të krijojë një para-shtet de facto të quajtur Republika e Kosovës dhe të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës. Sapo kriza e federatës jugosllave të zgjidhet, do të jetë krejt e qartë se çështja serbe duhet të zgjidhet me të gjitha mënyrat përmes bashkimit të të gjitha territoreve serbe në një shtet të vetëm.

Të vetëdijshëm për situatën alarmante në Kosovë dhe Metohi, e cila po përkeqësohet me shpejtësi marramendëse; duke pasur parasysh tradhtinë e regjimit serb ndaj bashkëqytetarëve të tij në Republika Srpska (Bosnje) dhe Republikën Serbe të Krajinës (Kroaci), është lehtësisht e pritshme që e njëjta gjë të ndodhë me serbët në Kosovë dhe Metohi.

Të dëshpëruar nga deklaratat e zyrtarëve të huaj që shprehen se çështjet e Kosovës dhe Metohisë, provincës së Rashkës (Sanxhak) dhe Vojvodinës duhet të zgjidhen brenda kornizave të krizës në Jugosllavi; duke qenë të vetëdijshëm se vetëdija kombëtare dhe e ardhmja e popullit serb është e paimagjinueshme pa Kosovën dhe Metohinë si një pjesë e patjetërsueshme e shtetit serb; i bindur se presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviç, ka hartuar një plan tradhtëtie ndaj tokës së shenjtë serbe, duke ia dorëzuar atë secesionistëve shqiptarë, këtu do të deklarojmë qëllimet e politikës kombëtare serbe në Kosovë dhe Metohi, masat e nevojshme për përmbushjen e këtyre qëllimeve , si dhe shpartallimin me të gjitha mënyrat të kryengritjes për shkëputje të shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi.

Në mënyrë që t’ia presim rrugën pasojave të kësaj kryengritjeje, ne jemi të vendosur që çështjet e mëposhtme të adresohen urgjentisht:

1 – Riorganizimi i shtetit

Do kryhet riorganizimi i shtetit dhe ndryshimi i federatës dhe autonomive territoriale aktuale, pasi këto autonomi kanë treguar se janë fatale për popullin serb. Zgjidhja më e mirë do të ishte të hartohej një shtet i vetëm, që do të përfshinte Republikën Serbe të Krajinës, Republika Srpska-n, Republikën e Serbisë dhe Republikën e Malit të Zi. Shteti serb do të kishte një president, një parlament të vetëm, një qeveri të vetme, ndërsa rajonet do të ishin ndërmjetës midis administratave lokale dhe qeverisë qendrore.

Shteti serb duhet të jetë shteti kombëtar dhe demokratik i serbëve si dhe i qytetarëve dhe grupeve të tjera etnike, të cilëve do t’u garantohen të gjitha të drejtat, të njeriut, civile dhe qytetare. Heqja e autonomisë ekzistuese së Kosovës dhe Metohisë – e cila ka krijuar një pabarazi fatale në Serbi dhe u dha shqiptarëve një bazë për të kërkuar shkëputjen – është elementi thelbësor në përmbushjen e çështjes kombëtare serbe.

Populli serb që tani po zhvillon një luftë sfiduese për bashkimin e të gjitha tokave serbe duhet të ketë përparësinë e tij kryesore mbajtjen e të gjitha territoreve brenda kufijve serbë. Përfshirja e plotë e Kosovës dhe Metohisë në një shtet të vetëm serb është çështje e brendshme dhe ajo duhet të zgjidhet si e tillë, pa arbitrimin e jashtëm e të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare.

Zgjidhja e statusit të Kosovës dhe Metohisë si pjesë integrale e shtetit serb, si dhe zgjidhja e të gjitha çështjeve të tjera që lidhen me realizimin e një shteti ligjor modern dhe demokratik, mund të arrihet vetëm me krijimin e një kushtetute të re. Kushtetuta mund të shpallet nga një parlament kushtetutë-bërës, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga të gjithë shtetasit e vendit.

 

Politika kombëtare ndaj Kosovës dhe Metohisë nuk mund të arrihet pa u diskutuar nga organet përkatëse të parlamentit dhe pa pëlqimin e përfaqësuesve legjitim të popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Duke marrë parasysh faktin që një numër i konsiderueshëm i pakicave kombëtare jetojnë në Serbi, ata, në përputhje me standardet ndërkombëtare, gëzojnë të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive, dmth., të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre në çështjet gjyqësore, të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën e tyre, të drejtën për shërbimet e tyre fetare, aktivitetet kulturore e kështu me rradhë.

Por, një parakusht për të gëzuar të tilla të drejta duhet të jetë detyrimi i tyre për të treguar besnikëri ndaj shtetit, shtetas të të cilit ata janë.

2 – Rishikimi i regjistrimit të shtetasve dhe të drejtat e tyre në bazë të numërimit të vitit 1991

Është e domosdoshme që parlamenti federal të miratojë urgjentisht ligjin mbi shtetësinë. Ligji do të përcaktojë numrin e emigrantëve shqiptarë dhe paraardhësve të tyre, të cilët, gjatë periudhës 1941-1987, në mënyrë të paligjshme kanëë marrë tokë dhe prona të tjera që askush tjetër nuk mund t’i ketë kurrë, në asnjë vend tjetër. Sot, Në Jugosllavi, ka rreth 400,000 të huaj të tillë; një ligj i tillë do t’i pengonte ata të jetojnë më gjatë në shtetin tonë.

Standarde të ngjashme duhet të zbatohen për të gjithë shtetasit e republikave të shkëputura, përveç nëse ata janë me kombësi serbe, dhe për të gjitha pakicat që refuzojnë të pranojnë shtetësinë në Republikën Federale të Jugosllavisë. Rreth 400,000 refugjatë nga republikat e shkëputura Jugosllave mund të vendosen në vendin e tyre, një akt legjitim i regjimit.

Për eliminimin e emigrantëve duhen zbatuar dy rregulla: ata që është faktuar se janë ekstremistë do të dëbohen menjëherë, ndërsa të tjerët duhet të kenë dokumentat e nevojshme, mes të cilave më e rëndësishmja është certifikata e shtetësisë, diçka që asnjëri prej tyre sigurisht nuk e ka. Kjo ‘çertifikatë atdheu’ duhet të ketë në faqen e parë stemën serbe: shqiponjën e bardhë dykrenare të Nemanjiks dhe kreshtën me katër S cirilike. Mospasja e këtij dokumenti do të jetë baza e dëbimit.

Duhet të parandalohet riatdhesimi i shqiptarëve që punojnë përkohësisht në vendet e huaja, veçanërisht ata që u larguan gjatë periudhës 1990-1993 (vlerësohet se janë rreth 300,000). Punësimi i atyre me profesione të caktuara duhet t’u mohohet, çfarë do t’i detyrojë ata të largohen nga vendi.

Shqiptarët në këtë aspekt janë shumë të përshtashëm – nga njëra anë sepse ata kanë vatra emigrimi në shumë vende, dhe nga ana tjetër sepse i përshtatet mentalitetit të tyre për të jetuar në vende të tjera. Masa të tilla para së gjithash do të preknin pjesën e arsimuar të popullsisë së tyre, në mënyrë që pjesa tjetër të manipulohet lehtësisht dhe të mos jetë në gjendje të organizojë rezistencë.

3 – Rishikimi i ligjeve mbi pronësinë e tokës

Në lidhje me rishikimin e statusit të pronësisë duhet të futet në fuqi një ligj i veçantë përmes të cilit të gjitha tokat në pronësi të shqiptarëve dhe pasuritë e tjera do t’u kthehet serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Metohi. Kisha ka poseduar pasuri të mëdha të patundshme dhe ka mbajtur aktivitete në dobi të popullatës lokale.

Duke shtuar tokën dhe pasurinë e saj, manastiret mund të kryejnë në mënyrë optimale misionin e tyre fetar, kulturor dhe kombëtar. Ata gjithashtu mund të ndihmojnë popullin serb të takohet dhe të parandalojë migrimin e tyre të mëtejshëm. Gjatë ngjarjeve që u zhvilluan në gjysmën e dytë të shekullit XX, vetëm priftërinjtë serbë nuk u zhvendosën nga Kosova. Si shpërblim për patriotizmin e tyre dhe së drejtës për trashëgimi, ata meritojnë prona të shumta.

Toka që u është shitur ose në një mënyrë apo në një tjetër ka përfunduar në duart e shqiptarëve, veçanërisht gjatë periudhës 1966-1987 (gjatë sundimit Komunist dhe Ballist [Fronti Kombëtar Shqiptar]), si dhe pasuritë e fituara nga Fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të tyre serbë dhe / ose pasardhësve të tyre.

Kjo mund të realizohet lehtë pasi, në shumicën e rasteve, shqiptarët nuk kanë ndërtuar shtëpi të reja por vetëm kanë shembur ekzistueset, në mënyrë që serbët të mos kishin një vend ku mund të shkonin nëse vendosnin të ktheheshin. Shqiptarët e kanë ndërrmarrë këtë (veprim) sepse kanë pasur frikë se situata mund të ndryshonte dhe përvetësimi i paligjshëm i pasurive nga ana e tyre nuk do të zgjaste përgjithmonë.

Gjatë sundimit socialist [komunist], kooperativat bujqësore dhe kolektivizimet u krijuan ekskluzivisht mbi pasuritë dhe në fshatrat e serbëve, kështu që ekziston një nevojë serioze për riprivatizim për t’ia dhënë ato prona pronarëve të tyre të mëparshëm, me kusht që ata të jetojnë në to. Nëse jo, toka duhet t’u ofrohet pronarëve të rinj. Ka mjaft tokë në pronësi të shtetit që mund t’i ndahet ose mund t’i shitet serbëve që vijnë nga jashtë Kosovës dhe Metohisë.

Toka duhet t’u ndahet pronarëve privatë, pasi shteti nuk e ka shfrytëzuar atë siç duhet. Përveç kësaj, toka e kooperativave bujqësore është e përshtatshme për të vendosur mbi të një numër të konsiderueshëm kolonizuesish, të cilët, duke jetuar atje, do të jenë më të aftë për të zhvilluar mirëqenien dhe për ndërrmarrë veprimtari shoqërore, mbrojtëse e të tjera.

Ka mjaft toka të tilla në mbarë Kosovën dhe Metohinë. Është krejt e thjeshtë të vendosësh në këto toka serbë, të cilët mund të kenë bashkëpunim të ngushtë me qendra të tjera të këtij lloji, në mënyrë që të ofrojnë ndihmë për zhvillim. Krijimi i zinxhirëve të vendbanimeve të tilla është i arritshëm në rajonet e Decanit, Prizrenit dhe Suharekës, ku, duke dëbuar shqiptarët, mund të krijohet një barrikadë e fortë mbrojtëse kundër Shqipërisë.

4 – Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë

Kolonizimi i Kosovës dhe Metohisë duhet të kryhet shpejt dhe një herë e përgjithmonë. Përmes propagandës politike, kolonistët mund të portretizohen si serbë që popullojnë tokën serbe dhe se nuk ka rëndësi në cilën pjesë të vendit jetojnë për sa kohë ata jetojnë në tokën e tyre.

 

Këtyre serbë gjithashtu duhet t’u ofrohen pajisje dhe hua afatgjata në mënyrë që ata të mund të kultivojnë tokën që u është dhënë, çfarë do t’i bënte të qëndronin atje. Shumica e kroatëve nga Janjeva dhe Letnica [dy rajone të Kosovës ku jetojnë ende pak kroatë], të udhëhequr nga etno-centrizmi, u larguan për në Kroaci pa asnjë lloj presioni. Prona e tyre ose i është shitur shqiptarëve ose është plaçkitur nga shqiptarët e rajoneve fqinje. Refugjatët serbë nga Kroacia duhet të vendosen në ato shtëpi e prona.

Përveç konfiskimit të tokës së shqiptarëve, të cilët e morën në mënyrë të paligjshme, të gjithë ata që kanë plaçkitur pasurinë dhe kanë okupuar territoret serbe duhet të paguajnë pasojat në përputhje me Ligjin për Ndalimin e Riatdhesimit të Serbëve në Kosovë dhe Metohi.

Ligji për Ndalimin e Shitjes së Pasurive duhet të respektohet plotësisht dhe duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që dispozitat e tij të zbatohen plotësisht dhe si duhet.

Për këtë qëllim, përgjegjësia kryesore i takon Ministrisë aktuale të Financave (Thesarit) së Republikës së Serbisë, e cila në fakt, së shumti nuk e ka zbatuar atë ligj. Shtrirja etnike e shqiptarëve në tokën shtetërore serbe ose atë në pronësi private të serbëve duhet penguar me të gjitha mjetet e mundshme.

Të gjithë shqiptarët që nuk janë shtetas – diçka që mund të vërtetohet lehtësisht me një numërim popullsie – duhet të pushohen nga puna. Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të largohen do të marrin pasaporta. Shqiptarët me shtetësi Jugosllave që jetojnë jashtë dhe / ose janë të përfshirë në aktivitetet për shkëputje duhet t’u hiqet shtetësia.

Duke marrë parasysh shpërndarjen e tanishme etnike (me vetëm disa enklava rurale serbe dhe mbi 700 qendra krejtësisht shqiptare, ndërsa ata pak serbë në vendin e vet virtualisht janë shtypur nga shqiptarët, ne besojnë se kolonizimi duhet të kryhet në mënyrë të organizuar, përmes krijimit të fshatrave, vendbanimeve, qyteteve të vogla ose lagjeve të reja në qytetet ekzistuese).

Këto vende duhet të jenë të një lloji të mbyllur, me një formë të brendshme organizimi, si janë shërbimet shëndetsore, argëtimi, aktivitetet kulturore, etj. Në këtë mënyrë populli do të mund të ndahet përgjatë linjës etnike, ndërsa pakict serbe në lagjet e përziera në qytete, gradualisht, do të kalonin në enklavat e krijuara rishtaz, një ide e cila kërkon mbështetje edhe motivim.

Në mënyrë që enklavat serbe të jenë të mbrojtura, një popullatë shqiptare nga 5 deri në 10 përqind duhet të vendoset aty, (me një përzgjedhje nga familjet me reputacion dhe autoritet).

Autostradat duhet të ndërtohen deri në 1 kilometër larg – përmes një procesi që mund të quhet “konfigurimi i terrenit” – për të hapur një rrip të gjerë përmes enklavave shqiptare dhe vendeve të tjera si kazermat ushtarake, poligonet, depot, etj.

Tokat dhe hapësirat pranë këtyre autostradave duhet t’i shpërndahen kolonistëve serbë, gjë që do të rezultojë në uljen e popullatës shqiptare në këto territore, çfarë është një element që ofron një ndjenjë sigurie për shqiptarët. Këto lëvizje do të krijonin një model “leopard” të enklavave serbe që do të rriteshin dhe, në fund, do të bëheshin më të mëdha se enklavat shqiptare.

Pushtimi i territoreve në këtë mënyrë është më efikas sesa “mbjellja” e individëve në komunitetet shqiptare, sepse nuk has në çështje pronësie. Metoda e parë ofron shumë më shumë siguri për kolonistët, ndërsa e dyta është një proces më i qëndrueshëm.

Enklavat serbe do të vareshin kryesisht nga furnizimet shtetërore dhe një numër i vogël i firmave private në pronësi të serbëve, ndërsa zonat shqiptare do të mbështeteshin kryesisht përmes firmave private, të cilave mund t’u lejohet të operojnë. Shteti mund të ndihmojë firmat private që nuk operojnë në mënyrë efikase.

Më pas, furnizimi me energji elektrike dhe ujë në enklavat shqiptare do të ndërpritet në vijimësi për ta bërë jetën aty të papërballueshme. Të gjitha këto synojnë jo vetëm ndasitë në popullatën shqiptare por edhe izolimin e plotë të saj. Nëse serbëve enklavat fqinje të shqiptarëve iu duken tërheqëse (me dyqane në pronësi private, argëtim etj.), kjo mund të eliminohet duke shkaktuar incidente në ato enklava, siç janë rrahjet dhe dhuna.

Parakushti themelor për të kontrolluar në mënyrë efikase qarkullimin e mallrave dhe kapitalit është parandalimi i korrupsionit në Kosovë, Metohi dhe Serbi brenda, sepse duhet të kihet parasysh se shqiptarët janë shumë të aftë në mashtrimin dhe komprometimin e të tjerëve.

Për të parandaluar qarkullimin e shumave të mëdha të kapitalit në rrugë ilegale, paratë duhet të kontrollohen në mënyrë rigoroze nga një sistem bankar i mirëorganizuar, ndërhyrjet e shpeshta të policisë financiare, kontrollit të ashpër të transportit dhe atij rrugor, vëmendje ndaj çdo lloj ndryshimi të madh në treg, procedurave doganore dhe tregtisë me tregtarët e huaj, financimit të organizatave politike, etj.

Duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për të penguar funksionimin e sektorit privat shqiptar përmes kufizimit të përhershëm të veprimtarive të tyre, gjë që nga ana tjetër mund të rezultojë në mbajtjen nën kontroll të fondeve të partive të tyre politike. Kontaktet me firmat private dhe kompanitë në Serbi duhet të parandalohen në mënyrë që kapitali shqiptar të mos ketë monopole në Serbi.

Me legjislacion adekuat dhe politika efikase taksimi, shuma të mëdha parash mund të mblidhen dhe të përdoren në programet financiare si kolonizimi. Një vëmendje e madhe duhet t’i kushtohet trafikut të drogës. Nëse një shqiptar kapet në një aktivitet të tillë, ai duhet të përdoret si pretekst për të ndjekur dhe ndëshkuar grupe të mëdha syresh. Raste të tilla do të diskreditonin personalitete të rëndësishme në sytë e botës perëndimore. Kjo është një çështje veçanërisht e ndjeshme për ta, pasi shqiptarët tashmë konsiderohen trafikantët kryesorë të drogës në botë.

Masa rigoroze duhet të ndërmerren kundër kontrabandistëve shqiptarë, sidomos atyre të duhanit. E gjithë kjo mund të rezultojë në trazira serioze shoqërore, nëse merret parasysh fakti që shumica e popullsisë shqiptare siguron jetesën e saj nga shitja e gjërave në rrugë dhe nga kontrabanda, praktika të cilat në mënyrë të pashmangshme sjellin rritje të aktiviteteve kriminale dhe ilegale.

Sidoqoftë, ne mendojmë se me forca të fuqishme dhe efikase policore, është mjaft e lehtë t’i bësh njerëzit të kërkojnë strehim jashtë vendit. Të gjithë hapat duhet të ndërmerren në mënyrë që kapitali i shqiptarëve të kanalizohet përmes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Lëshimi i letrave nga autoritetet shtetërore (përveç sekuestrimit të pasaportave) duhet të jetë sa më i komplikuar që të jetë e mundur, e të gjithë ata që nuk arrijnë të marrin dokumentat si duhet të gjobiten në mënyrë shtypëse. Shqiptarëve u pëlqen t’u përmbahen procedurave të tyre klanore në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe e urrejnë ndërhyrjen administrative në sferat e jetës që ata i konsiderojnë të rëndësishme për ta.

Duhet të miratohet një legjislacion i tillë që do t’i detyrojë shqiptarët të kërkojnë leje për të pasur qoftë edhe një lopë. Promovimi i rregullave të tilla do t’i bindë ata të shkojnë jashtë vendit dhe, më pas, do të përballen me pengesa serioze në kufi, kur përpiqen të kthehen.

Për sa i përket enklavave serbe, procedura duhet të jetë më pak e komplikuar, ndërsa në qytetet ku shërbimet janë njëlloj për të gjithë komunitetin, si Ministria e Brendshme, qytetarët e kombësive të ndryshme duhet të trajtohen në mënyra të ndryshme. Këto procedura padyshim do të rezultojnë në pakënaqësi në mesin e komunitetit të tyre, çfarë do të krijojë kushtet për një tendëncë të gjerë për tu përfshirë në organizata të ndryshme, edhe ato terroriste.

Prandaj, individët nga sigurimi i shtetit duhet të “infiltrohen” si agjentë të cilët pretendojnë se po bëjnë presion për krijimin e këtyre organizatave të fshehta dhe/ose armiqësore, apo edhe të bëhen drejtuesit e grupeve të tilla. Mashtrime të tilla mund të shfrytëzohen nga shteti si një pretekst për të nndërrmarrë aksione të pakompromis kundër të gjitha organizatave të tyre.

Kjo do të rezultonte në tensione ndëretnike dhe ndasi të mëtejshme në jetët e tyre paralele. Për këtë qëllim, grupe të tilla duhen shumë e më shumë, ndërsa policia do të shkatërronte herë pas here ndonjë prej këtyre grupeve, i cili më pas mund të lejohej të konsolidohej përsëri dhe të dukej si organizatë e mirëfilltë dhe “bona fide/me mirëbesim”.

Partitë politike të shqiptarëve duhet të lejohet të krijohen vetëm përmes një legjislacioni specifik dhe, në të njëjtën kohë, duhet të krijohen skandale për t’i diskredituar ato. Kjo mund të diskreditojë udhëheqësit e tyre në sytë e opinionit publik vendas dhe të huaj, i cili ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët.

Individë të shquar që kanë rol të rëndësishme në jetën e tyre politike duhet të eliminohen me skandale, duke inskenuar aksidente rrugore, vrasje për xhelozi, ose duke i infektuar me virusin AIDS kur ata udhëtojnë jashtë vendit. Infektimi i tyre do të bëhej publik kur kalojnë kufirin, kështu që ata mund të karantinohen.

Më një propagandë të përshtatshme në mediat e tyre, ngjarje të tilla mund të krijojnë panoramën artificiale/jot ë vërtetë të një përqindje të patolerueshme njerëzish të infektuar, çfarë do të përdorej si justifikim për të izoluar grupe të mëdha njerëzish. Kjo do të ndihmonte në promovimin e shqiptarëve si një popull i infektuar.

5 – Informimi dhe propaganda

Transmetimi i programeve të dedikuara radiofonike dhe televizive në gjuhën shqipe, të cilat do të synonin gërryerjen e mentalitetit të tyre patriarkal dhe klanor duke ofruar vlerat më dekadente të Perëndimit, të cilat mund të përvetësohen lehtësisht nga njerëzit primitivë.

Programe të tilla mund t’iu kursehen enklavave serbe, kryesisht për shkak të pengesës gjuhësore, si dhe përmes vendosjes së televizionit kabllor në ndërtesat dhe vendbanimet e ngritura rishtas për serbët.

Krijimi i një makinerie të fuqishme dhe efikase propagandistike për të ushqyer opinionin publik ndërkombëtar është thelbësor dhe diçka që tashmë është vënë në përdorim. Edhe një aktivitet (sekret) botues duhet të krijohet për t’i lejuar ata të shpërndajnë kritikat kundër regjimit serb.

Shqiptarëve duhet t’i mohohen të gjitha llojet e ndihmës sociale, sepse ajo ka mundësuar raportin e lartë të lindjeve të tyre. Raporti i lartë i lindjeve në mesin e pakicave kombëtare të besimit mysliman ka rezultuar në një popullsi shumë të lartë (të tyre) në Kosovë dhe Metohi. Një gjë e tillë krijon një tepricë demografike, prandaj emigrimi i shqiptarëve është i domosdoshëm dhe mund të ndërrmerret pa hasur në ndonjë presion nga autoritetet serbe.

Një element thelbësor i programit kombëtar për serbët është lindja një fëmije të tretë dhe të katërt. Serbia ka hapësirë dhe burime të mjaftueshme ekonomike për të trajtuar dhjetëra miliona banorë, prandaj një rritje e nivelit të lindjeve është e rëndësishme në çdo aspekt. Në mënyrë që të rritet niveli i lindjeve serbe, i cili do të ndikonte drejtpërdrejt në vetë Kosovë dhe Metohi, duhet të ndërmerren shumë veprime konkrete, stimuluese dhe kufizuese.

Nënat serbe që kanë tre, katër ose më shumë fëmijë duhet të kenë të drejtën e pensionit të hershëm. Ata duhet të marrin ndihmë për fëmijët, pavarësisht të ardhurave të tyre familjare. Planifikimi dhe zgjerimi i familjeve duhet të jetë përparësia kryesore e të gjithë individëve, familjeve dhe mbarë shoqërisë.

Familjeve serbe me më shumë fëmijë duhet t’i jepen hua për shtëpi dhe biznese private; atyre duhet t’u jepen apartamente, punë, lehtësira të tjera dhe stimuj për rritjen e fëmijëve.

Është e nevojshme që në rajonin e Kosovës dhe Metohisë të happen shkolla dhe akademi ushtarake dhe policore, institucione ushtarake shtesë, si dhe institucione të tjera shtetërore, siç janë ministritë që do të lehtësonin vendosjen atje të mijëra oficerëve ushtarakë, policorë, nëpunësve të shtetit së bashku me familjet e tyre, me infrastrukturën e nevojshme për një jetesë normale.

Të gjithë serbëve që dëshirojnë të jetojnë në ato zona duhet t’u jepet tokë pjellore falas, truall ndërtimi dhe hapësirë për biznese private. Të gjithë ata që vendosin objektet e tyre ekonomike atje dhe kanë të paktën 10 të punësuar, duhet t’u ofrohen mundësi të bollshme, si përjashtimi nga taksimi për dhjetë vjet.

Ushtarakëve në pension, policëve dhe nëpunësve shtetërorë mund t’u zgjidhin problemet e akomodimit / strehimit duke iu dhënë atyre apartamente komode dhe maksimalisht të mëdha në rajonin e Kosovës dhe Metohisë.

Brezi kufitar, minimumi 50 kilometra në afërsi të Shqipërisë duhet të përdoret pëe të vendosur serbë. Kjo do të shmangë çdo rrezik për zonës, ndërsa marrëdhënia fqinjësore mund të funksiononte në përputhje me nevojat dhe interesat dypalëshe. Zona kufitare pranë Shqipërisë duhet t’u ndahej ekskluzivisht serbëve, ndërsa pjesa ngjitur e territorit duhet të jetë pronë e ushtrisë jugosllave.

6 – Arsimi

Sistemi arsimor në shkollat shtetërore duhet të jetë në përputhje me elementët dhe vlerat e kulturës dhe artit serb, europian dhe botëror; gjuha e mësimit duhet të jetë ajo serbe. Perspektivat e hapura dhe zhvillimi i lirë në Serbi janë shumë tërheqëse për pakicat.

Shkollat në gjuhën e pakicave do të trajtohen si private, ndërsa dikujt që dëshiron të punësohet do t’i duhet një verifikim që dëshmon se ka përfunduar shkollimin në përputhje me kurrikulën shtetërore. Në këtë mënyrë, një përzgjedhje e kujdesshme dhe përfshirje normale e të gjitha vlerave dhe strukturave pozitive serbe do të përfshihen në arsimimin e tyre.

Pas përmbysjes së para-shtetit shqiptar, Universiteti Serb i Prishtinës ka bërë një ndryshim rrënjësor dhe është në rrugën e duhur për të arritur rezultate të mira, të cilat përcaktojnë drejtpërdrejt fatin e Kosovës, Metohisë dhe vetë shtetit. Kjo rrugë duhet të stabilizohet dhe promovohet më tej, në harmoni me nevojat dhe programet e reja mësimore.

Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që kushtet në Universitetin Serb të Prishtinës të jenë më të favorshme sesa brenda në Serbi. Duhet të bëhen përpjekje për të ruajtur dhe promovuar më tej arsimin e tanishëm paralel illegal të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë ata do t’i kenë të gjitha dyert e mbyllura për punësim dhe përfshirje në shoqëri.

Të gjitha këto përpjekje duhet të bëhen që popullata të shpërndahet në të gjithë botën, përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Ndërrmarrjet e tilla duhet të jenë të njëkohshme me forma të ndryshme presioni dhe të krijojnë ndjenjë pasigurie. Të gjitha mjetet, megjithëse të modifikuara në rrethana specifike, duhet të përdoren për të parandaluar secesionistët shqiptarë të punësohen.

Ushtria

 

Në mënyrë që të zgjidhet problemi i Kosovës dhe Metohisë, ushtria jugosllave duhet të shndërrohet në ushtri serbe. Njerëzit nga republikat që janë shkëputur nga federata duhet të dëbohen menjëherë nga rradhët e ushtrisë, duke filluar nga ata që mbajnë poste drejtuese, përveç atyre që kanë treguar se janë luftëtarë të vërtetë dhe trima në mbrojtjen e lirisë së popullit serb.

Një ushtri e tillë do të ishte më e konsoliduar dhe më e aftë për të zgjidhur çështje të komplikuara ushtarake dhe luftarake, dhe, për më tepër mund të jetë më pak e kushtueshme.

Ligji për Ushtrinë duhet të jetë aq i ashpër sa të detyrojë çdo qytetar të Jugosllavisë të jep kontributin e tij për mbrojtjen e vendit, ndërsa anëtarët e pakicave kombëtare mund të kontribuojnë me para ose punë. Këto çështje duhet të rregullohen në detaje nga një ligj specifik.

Është e nevojshme të intensifikohet vendosja e serbëve në afërsi të bazave ushtarake ekzistuese, ndërsa jo-serbët nuk duhet të lejohet të ndërtojnë shtëpi aty. Në këtë aspect, situata aktuale është katastrofike, prandaj nevojiten masa urgjente për ta ndryshuar atë. Disa objekte ushtarake me rëndësi jetike duhet të zhvendosen në enklavat serbe, por në të njëjtën kohë ata duhet të mbajnë nën kontroll të plotë të gjithë territorin e Kosovës dhe Metohisë përmes vizitave, manovrave dhe aktiviteteve të tjera ushtarake.

Është e domosdoshme që brenda ushtrisë të legalizohet operimi i njësive profesioniste guerile çetnike, të cilët duhet të vendosen në lokalitete me rëndësi strategjike në Kosovë dhe Metohi.

7 – Policia

“Policia është një element shumë i rëndësishëm i shtetit, përgjegjëse për mbajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pronë e përhershme e shtetit serb. Sidoqoftë, policia duhet të jetë më e mirë-trajnuar dhe më profesionale sesa tani. Në polici duhet të futen të rinj dhe individë të arsimuar, ndërsa të gjithë pjesëtarët e këtyre forcave duhet të kryejnë kurse shtesë.

Akademia e policisë do të luajë një rol vendimtar në këtë drejtim. Forcat e policisë në Kosovë dhe Metohi do të përfshihen ekskluzivisht në mbrojtjen e banorëve serbë, si një popull i rrezikuar në këto zona.

8 – Shërbimet Publike

Rruga nëpërmjet së cilës u tërhoq ushtria serbe në vitin 1915 ka përcaktuar gjerësisht drejtimin e një autostrade të ardhshme (Nish, Prishtinë, Podgoricë, Tivar), që do të lidhë në mënyrë të qëndrueshme Serbinë me Malin e Zi dhe Detin Adriatik, përmes Kosovës dhe Metohisë.

Realizimi i një projekti të tillë duhet të jetë një përparësi për shërbimet publike. Edhe gjatë sanksioneve ndërkombëtare dhe krizës ekonomike është e mundur të kemi një progres të shpejtë në këtë drejtim, i cili do të kishte një ndikim epokal në çështjen e Kosovës”.

9 – Mbrojtja

Situata aktuale në Kosovë dhe Metohi mund të ketë pasoja të paparashikueshme, veçanërisht nëse faktorët e jashtëm synojnë zbatimin e një skenari të tillë. Për këtë arsye, veprimtarisë parandaluese duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë; para së gjithash duke futur në dorë të gjitha llojet e armatimeve, me ose pa licencë, që të neutralizojmë të gjitha formacionet paraushtarake, para-policore dhe para-mbrojtje territoriale.

Nëse duhet të bëjmë një luftë për të mbrojtur Kosovën dhe Metohinë, ajo duhet të luftohet me të gjitha mjetet e mundshme dhe ta përfundojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Asnjë lloj bisedimesh ose marrëveshjesh nuk duhet të fillojë me përfaqësuesit e shqiptarëve derisa ligji për shtetësinë të jetë miratuar dhe derisa numri i saktë i atyre që njohin dhe pranojnë këtë shtet si shtetin e tyre të verifikohet.

Për ata shqiptarë që deklarojnë se janë shtetas të Serbisë ose Jugosllavisë, përkatësisht, shteti duhet të jetë më tolerant dhe ata mund të përfshihen në organet shtetërore dhe politike, gjithmonë nëse ata pranojnë shtetin serb dhe ligjet e tij. (Përktheu Edona Llukaçaj, DITA)

 

 

 

Dossier