Aktualitet11 Dhjetor 2022, 10:25

Plani rus për ta kthyer Kosovën në “Ukrainën” e Ballkanit

Shkruar nga Pamfleti
Plani rus për ta kthyer Kosovën në “Ukrainën” e

Plani rus për ta kthyer Kosovën në “Ukrainën” e Ballkanit

Pak para ardhjes në Prishtinë e Beograd të një delegacioni të lartë amerikan, ambasadori rus në Serbi, ka bërë thirrje për injorim të opsioneve perëndimore.

Dilema që po përflitet tashmë prej kohësh, është a do të kemi një konflikt real në Kosovë, ku tensionet po përshkallëzohen?!

SHBA dhe BE kanë përqendruar të gjitha energjitë e tyre për të parandaluar një konflikt në terren në Kosovë, duke ndikuar fort si Beograd ashtu edhe Prishtinë që të mos shkojnë në tensionimin e situatës.

Javën e ardhshme, dy emisarë shumë të lartë të Departamentit të Shtetit mbërrijnë në Kosovë dhe Serbi për përpjekjen e radhës për të shërbyer edhe një herë si zjarrëfikës.

Kjo ngase një tensionim i rëndë i situatës mund të komplikojë gjërat në një rajon të rrethuar nga anëtarë të NATO-s dhe me forcat ushtarake të Perëndimit brenda.

Megjithatë, gjithçka duket se ka një logjikë, e mediat serbe po flasin përditë e më shumë se cila është arsyeja e këtij tensioni të madh.

Krejt në kontrast me qarqet publike shqiptare në Tiranë e Prishtinë. Duket se Kosova pritet të jetë pjesë e negociatave mes fuqive të mëdha, që do të zhvillohen për ndarjen e zonave të influencës, pas nisjes së diskutimeve mes Rusisë dhe SHBA-së.

Pas marrjes së qytetit të Khersonit, SHBA po e shtyn Zelenskin të nisë negociatat me Moskën, proces që sipas gjasave do të shtyhet pas dimrit.

E në këtë periudhë palët po përpiqen që të fitojnë sa më shumë terren.

Edhe në Kosovë, po ndodh thuajse një gjë. Serbia po përpiqet që të krijojë tensione në veri për të marrë Asocacionin e Komunave me një prezencë të saj në Republikën e re, e Prishtina po përpiqet të shtrijë legjitimitetin e saj në çdo cep të vendit.

Sepse duhet thënë se në enklavat serbe as nuk ekziston fare autoriteti shtetëror. Policia në veri, e cila ishte me kontigjent serb, ku dominonin ish-“Rojet e Urës”, as nuk interesohej për legjitimitetin në zonë, por përkundrazi atje lulëzonte kontrabanda dhe trafiqet.

Bizneset nuk paguanin asnjë cent në buxhetin e Kosovës, ndërkohë që shumica e sipërmarrjeve të mëdha kanë nipte në Vranjë e Nish, pra paguajnë taksa në Serbi.

Ngjarja e Hoçës së Madhe, është thjesht ilustrimi i situatës që prej vitesh është lënë si “shkretëtirë” ose më mirë një territor ‘tampon’ i Serbisë.

E për këtë, faj, madje të madh kanë qeveritë e mëparshme e në veçanti, Hashim Thaçi, i cili ka qenë bashkëkrijuesi i kësaj situate.

Ndërkaq, Moska po synon që në Kosovë të krijojë një “Ukrainë” të vogël në Ballkan. Pak para ardhjes në Prishtinë e Beograd të një delegacioni të lartë amerikan, ambasadori rus në Serbi, ka bërë thirrje për injorim të opsioneve perëndimore.

Siç bën të ditur ‘B92’, ambasadori rus në Beograd,   Aleksandar Bochan-Kharchenko, në një intervistë televizive ka kërkuar që Serbia të mos u besojë SHBA e BE.

“Perëndimorëve nuk u intereson që të zbatojnë, atë që ata vetë kanë ndërmjetësuar. Ndërkohë që vijon fushata e frikës dhe shtypjes së popullatës serbe. Qëllimi është pushtimi i butë i veriut të Kosovës, madje edhe me mbështetjen e Perëndimit. Nëse Perëndimi do mund të bindë Prishtinën të tërhiqet, pasi ai e ka krijuar Kosovën. Kush e ha broçkullon se qeveria e Prishtinës qenka kokëfortë? Ata me vetëdije punojnë për intensifikimin e konfliktit”, tha Boçan- Kharçenko, i cili në verë, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm rus, Aleksandër Vulin, ishin në kufi me Kosovën së bashku me xhandarmarinë serbe.

Ambasadori rus, ka përkrahur kthimin e policisë serbe në Kosovë.

“Perëndimi kërkon të blejë kohë, siç po ndodh me Marrëveshjen e Minskut për Ukrainën. Pra ajo që po ndodh në Ukrainë, në thuajse me të njëjtën logjikë po duan ta bëjnë edhe në Kosovë”, tha Kharçenko, i cituar nga ‘B92’.

E në këtë lojë, siç ka ndodhur shpesh ndër vite, nisjen e tensionit e bëjnë ata që quhen “skifterë” apo “radikalë”. Megjithëse kohët e fundit ka dalë si “analist i pavarur”, kreu i Partisë Radikale dhe ish- kreu i paramilitarëve famëkeqë, Vojisllav Seshel, që ka ngritur zërin, duke kërkuar që më shumë se 1 mijë ushtarë serbë duhet të instalohen sa më shpejt në veriun e Kosovës.

“Vuçiç bën si patriot dhe rri si pulë para perëndimorëve. Si e duroi gjithë atë poshtërim që ju bë Serbisë në Tiranë, ndërkohë që duhet ta kishte kërkuar që më 5 tetor rikthimin e një kontigjenti xhandarësh në veri të Kosovës”, tha Sheshejl, në një intervistë televizive, që citohet nga “Veçernejei Novosti”.

Faqja e parë e së cilës hapej pikërisht me fantazmën e rikthimit të ushtrisë.

“Duhen më shumë se 1 mijë, ndoshta edhe 200 shtesë forca speciale nga më të mirat. Serbia duhet të refuzojë vazhdimin e çfarëdo negociate derisa të kompensohet vlera e plotë e verës së vjedhur ndaj Petroviqit në Hoçë të Madhe. E cila sipas llogarisë time vlen 800 mijë euro”, tha Sheshejl në ‘TV Pink’, duke e bërë akoma edhe më qesharake sekuestrimin e 40 mijë litrave verë surrogato në një fshat të Rahovecit nga ana e doganës së Kosovës. /Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” #Plani rus për ta kthyer Kosovën në “Ukrainën” e Ballkanit