Largimi i Sulejman Memës nga Kryetar i Shoqatës Rajonale të Tiranës ishte lajmi i ditës së sotme. Askush s’e kishte pritur që një nga njerëzit që ka dhënë një kontribut të madh në futbollin shqiptar, të largohej para zgjedhjeve të radhës të Asamblesë së Përgjithshme për presidentin e FSHF-së. Megjithatë burime pranë kësaj shoqate bëjnë me dije që kryetarit Mema i mbaron mandate, jo thjesht dorëheqje siç kishte shkruar kryetari i bashkisë së Tiranës Veliaj në foton e publikuar më parë.
Newsport.al kontaktoi Memën, i cili tregoi se kryebashkiaku Erion Veliaj e ka kërcënuar për letrën e drejtuar ditën e sotme në FIFA. Institucioni i futbollit botëror, asesi nuk lejon përfshirjen e politikës në futboll. Megjithatë për kryetarin Veliaj këtë do ta zgjidhë organi i drejtësisë.
– Përshëndetje zoti Mema. Sot kryebashkiaku Veliaj ka postuar një foto ku qëndronit së bashku me të. A mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur?
Kam pasur një takim ditën e sotme me zotin Veliaj. Kemi folur për situatën aktuale dhe tensionin e krijuar.
– Po çfarë ju tha konkretisht?
Më ka thënë që do t’iu çojmë në Prokurori për këto deklarata që keni bërë dhe shkresën e dërguar në FIFA.
– Po si mund të ndërhyjë politika në futboll?
Unë i thashë që jemi të gatshëm ta ndjekim këtë çështje në çdo rrugë ligjore.
– Ndërkohë i keni dhënë fund qëndrimit në krye të Shoqatës Rajonale të Tiranës. Pse ky vendim i juaji në një moment kaq delikat?
Mua më ka mbaruar mandati si Kryetar i Shoqatës. Do të mblidhemi të bëjmë analizën vjetore.
– A do të vazhdoni të jeni pjesë e Shoqatës?
Sigurisht që po! Do të vijoj të jem anëtar i saj.
– Tension i madh para zgjedhjeve të FSHF-së. Jeni pro apo kundër presidentit Duka?
Në këto zgjedhje mbështes dhe jam me presidentin Duka. Jam gjithashtu një punonjës i Federatës Shqiptare të Futbollit.