Aktualitet20 Shtator 2022, 18:31

“Plumb ballit”: Efektet 30 vjeçare të dhunës si mjet politik në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti
“Plumb ballit”: Efektet 30 vjeçare të dhunës si

Të gjitha organizatat e dhunshme ekstremiste në botë, sa herë ju kanë hyrë mjeteve të dhunës, terrorit, sulmit fizik apo atentateve, janë shkatërruar më shpejt.

Shkruan Ylli Pata

Në këto ditë, kur po afrohet dita e zgjedhjeve parlamentare në Itali, klima ka marrë edhe nota të larta tensioni e përplasjeje.

Një duel mes dy ish-kryeministrave, rivalë të ashpër në politikë, u bë ngjarje kryesore çka ndryshoi për pak kahjen e diskutimit publik.

Ish-kryeministri, Giuseppe Conte, ka sulmuar ashpër paraardhësin e tij Matteo Renzi, i cili ka kërkuar anulimin e një asistence sociale-“reditto di citadinanza”, që shkon prej 600 eurosh në muaj, e që ju jepet të papunëve. Kjo masë është më shumë e shpërndarë në zonën e Jugut të Italisë, e cila është edhe më e varfër ekonomikisht.

Conte, deklaroi se Renzi, duhet të vinte në Palermo pa eskortë, e t’ua shpjegonte siçilianëve qëndrimin e tij për asistencën sociale.

Matteo Renzi, i cili ishte përballë me pasardhësin e tij në trasmetim live në TV, e konsideroi këtë deklaratë, një nxitje të dhunës, të urrejtjes dhe yshtje për ta sulmuar fizikisht. Këtë e konsideroi si impotencë për ta trajtuar debatin politik me argumente.

Ndërsa në Shqipëri, ky mekanizëm, pra dhuna dhe yshtja e saj, ka qenë mjet politik thelbësor në tranzicionin e gjatë e të lodhshëm shqiptar.

Gruaja e moshuar nga Puka, e cila në takimin me Sali Berishën, kërkonte leje për t’i futur një plumb Edi Ramës, e doktori u shkri së qeshuri, e ka të dëgjuar këtë refren ndaj dhe e përmendi.

Para disa vitesh, Jozefina Topalli, atëherë kryetare Parlamenti tha në një emision televiziv se Gramoz Ruçi meriton “plumbin ballit”. Ndërsa Sali Berisha, e ka pasur instrument të përhershëm, kërcënimin fizik ndaj kundërshtarëve, duke u parashikuar edhe funde të frikshme.

Gruaja nga Puka, e ka dëgjuar nga Ilir Meta, i cili flet ditë për ditë për “thyerje në mes”, grushta, “kosore e sfurqe”, “armatosje”, apo edhe Monika Kryemadhi që para ca kohësh u betua se “do t’ja hante veshin Edi Ramës”.

Kjo mënyrë e të bërit politikë është praktikuar e praktikohet çdo natë në panelet e darkës, ku ka kërcënime, dhunë verbale e sharje, madje edhe prej profesorëve të lëndëve të fillologjisë-pra fjalës.

Siç shikohet edhe nga “iranleaks’-i shqiptar, pra rrjedhja e emailave të policisë, edhe oficerët e lartë të Policisë së Shtetit përdorin shprehje të denjë të bullizmit të dikurshëm të klasës së gjashtë. “Plehrë, mu zhduk, dil përjashta”, u raportua si një diskutim “pa shumë tension” mes kryepolicësh.

Është pikërisht kjo mënyrë e diskursit publik në vend, që është përdorur me qëllim për të mbajtur të karikuar njerëzit poshtë, për t’i mbushur me urrejtje, e më pas për ta vjellë këtë mllef në rrjete sociale e ekrane televizioni.

Pasi, kur vjen puna për vete, politikanët e rangut të lartë në Shqipëri, jo vetëm që nuk janë vrarë, por janë puthur, përqafuar, kanë bërë marrëveshje, pakte, kanë qeverisur së bashku, kanë ngrënë dreka e darka.

Pranojnë sms me njëri-tjetrin për të shkëmbyer favore të “vogla” ata që quhen “ndere jete” për njerëzit e thjeshtë. Shikoni institucione të larta shtetërore si Banka e Shqipërisë, AKEP, ISSH, apo çerthe të tjera pëllumbash ku janë sistemuar familjarë e kruqshqi, nuse e kunata të politikanëve, që jo vetëm nuk i luajnë nga vendi njerëzit e kundërshtarëve, por kujdesen që të ndihen më mirë.

Është një pakt i pashkruar që ka funksionuar shumë herë më mirë se marrëveshjet publike që janë përdhosur pas 5 minutash nga ceremonia e firmosjes.

“Plumbi Ballit” në publik është një kod, një mënyrë për të mbajtur të karikuar pjesën radikale të elektoratit, e kështu për të krijuar ishuj e gadishuj bastionesh, ku krerët e politikës trajtohen si Bajlozi i Zi me Gjergj Elez Alinë, por me raport të përmbysur sipas preferencave politike.

Por ky raport ka ndryshuar e po ndryshon gjithnjë e më shumë, jo vetëm tek ai që quhet elektorati gri, por edhe tek militantët e dikurshëm, që kanë hapur sytë e po e shikojnë situatën më me realizëm.

Natyrisht bëhet fjalë brenda opozitës, e cila që prej një viti kur Sali Berisha u ndëshkua nga SHBA, ka nisur një proces reflektimi e diskutimi, i cili nuk kthehet mbrapsht. Sidomos tek intelektualët e së djathtës, të cilët po e çojnë çdo ditë këtë diskutim në një zhvillim të ri.

Edhe pse i ngadalshëm, ky proces do të ecë vetëm përpara. Pikërisht kësaj i druhen dy përfaqësuesit e vjetër të politikës 30 vjeçare; Berisha e Meta, të cilët e kanë rritur dozën e dhunës verbale, e do ta bëjnë akoma edhe më shumë.

Ata nuk kanë ç’i bëjnë “mendjeve të lira” dhe që do të vendosin me racionalitet dhe logjikë për fatet e opozitës, por duan të mbajnë sa më shumë skifterë pas vetes, për të trembur sa më shumë njerëzit e lirë, siç kanë bërë këto 30 vjet.

Por në fakt, askush nuk trembet më nga dordolecët politikë të kastës 30 vjeçare që luajnë me kartën e frikës. Dhuna është shenjë e qartë impotence edhe kur bëhet në të vërtetë, jo më kur shantazhon pa fund.

Të gjitha organizatat e dhunshme ekstremiste në botë, sa herë ju kanë hyrë mjeteve të dhunës, terrorit, sulmit fizik apo atentateve, janë shkatërruar më shpejt. E meqë ra fjala te “organizatat e dhunshme”, para pak vitesh ka pasur edhe paralajmërim të fortë, edhe në Tiranë për nga dy parti që dy ditë para zgjedhjeve vendore të 2019-s, dogjën material e komisione elektorale.

Forum 30 vite Dhune politikë