Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço i pyetur sot mbi televizorët që përdoren si celularë në burgje, ngriti dyshime për bashkëpunim mes punonjësve dhe të dënuarve.
“Në lidhje me aparatura që futen në objektet e sigurisë së lartë, kanë edhe një kontroll, mbi mundësinë që të jenë të manipuluara. Fakti që kanë kaluar tregojnë që ose ka korrupsion ose neglizhencë. Mund të ketë edhe bashkëpunim mes punonjësve dhe të dënuarve. Nëse na futen TV dhe aparatura të tjera që kanë funksion për aktivitetin kriminal, do të jetë e vështirë për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale. Edhe për shkak të dëshmisë së të penduarve mund të priten ngjarje të rënda kriminale”, tha ai.
Ndërsa tregoi një rast ku u tentua të eliminohej një bashkëpunëtor i drejtësisë në Korçë, Karamuço paralajmëroi se mund të ndodhin ngjarje të tjera si këto.
“SPAK ka zbardhur një rast për një person që do helmohej. Një grup kriminal lidhej me një tjetër në Korçë për t’i shërbyer për vrasjen e një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Mund të kemi edhe raste të tjera. Është vënë shteti në sprovë të madhe, se sa do t’i mbrojë këta. Plumbi i artë është një xhevahir që mund të na zgjidhë shumë çështje të fjetura”, u shpreh Karamuço.