GJKKO ka mbajtur seancën e radhës për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Megjithatë, dhënia e masave të sigurisë nuk ka kaluar pa incidente. Mësohet se, policia ka ngatërruar një prej të arrestuarve, Ilirjan Feçin, i cili mbahet në burgun e Shën Kollit duke çuar në Gjykatë dikë tjetër në vend të tij. Në vend të Ilirian Feçit, është sjellë një jetër shtetas nga Burgu 313 në Tiranë, me të njëjtët gjeneralitete, por që iu ndryshon emri i babait.
Pasi kanë mësuar këtë fakt, gjykatësit kanë urdhëruar kthimin e personit të ngatërruar në ambientet e burgut dhe marrjen e Ilirjan Feçit të vërtetë, të cilit do t’i komunikohet masat e sigurisë pasi të mbarojnë me të tjerët.
Vlen të theksohet se, GJKKO i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg” edhe të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, veprim i cili për shkak të gjendjes shëndetësore si dhe kushteve të sigurisë u bë në spital.
SPAK shkatërroi një ditë më parë 8 grupe kriminale, ku nga 32 urdhër arreste janë ekzekutuar 18 (9 prej të cilëve ishin në burg), teksa 14 të tjerë janë në kërkim. Dyshime janë hedhur se operacioni është dekonspiruar dhe në vend të tyre, gjithçka kemi para drejtësisë janë thjesht ‘ushtarë’ të vegjël! Kjo ka sjellë edhe nisjen e hetimeve nga ana e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.