Kronike 8 Dhjetor 2022, 11:12

"Plumbi i artë"/ Policia aksion në disa qytete gjatë natës, kontrolle në banesën e Suel Çelës në Elbasan

Shkruar nga Pamfleti
"Plumbi i artë"/ Policia aksion në disa qytete gjatë

Policia ka zhvilluar një tjetër aksion për kapjen e të shumëkërkuarve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Mësohet se aksioni ka pasur në fokus qytetin e Elbasanit, aty ku dyshohet se fshihen disa prej të shumëkërkuarve. Por, efektivët kanë dalë duarbosh që aty.

Kontrolle janë zhvilluar edhe në biznesin e banesën e familjes së Suel Çelës, i shpallur në kërkim në kuadër të të njëjtit operacion, por ai nuk është gjetur aty.

Operacioni është shtrirë edhe në disa qytete të tjera të vendit, por deri më tani nuk ka njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit në lidhje me të arrestuarit. Pritet deklarata për të hedhur më shumë dritë në lidhje me këtë aksion.

Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova është personi i fundit që është vënë në pranga, në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” që u zhvilluar pas arrestimit e rrëfimit të Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt, të cilët u bënë bashkëpunëtorë të drejtësisë. Bitri, 35 vjeç nga Elbasani është arrestuar në Holandë, në një provincë të Holandës të quajtur Leiden. Ai u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë me silenciator si dhe me dokumente identifikimi bullgare.

Dy të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Për këtë operacion të SPAK, u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 u shpallën në kërkim. Pas kapjes së Agim Gjinit në Durrës dhe Eljo Bitrit në Hollandë, në kërkim janë ende 12 të tjerë, përfshirë Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të këtij viti.

Kronike Aksion plumbi i arte policia