Operacioni “Plumbi i Artë”, ka vijuar sërish mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, Fierit dhe Korçës.
Bazuar në dëshminë e penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit – i cili për shkak të aktivitetit të ngjeshur kriminal që ka pasur në qytetin e Durrësit, ka dhënë informacione të vlefshme që mundën të zbërthenin vrasjet e grupeve kriminale gjatë një dekade, nga viti 2011 deri në 2022-shin – policia dhe prokurorët e SPAK, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe biznese në qytetin e Durrësit dhe Fierit.
Pamfleti ka mësuar se kontrollet janë ushtruar në biznesin e Xhevdet Troplinit që ndryshe njihet në Durrës me nofkën “Poja” dhe i skeduar nga policia për ngjarje kriminale.
Kontrollet vijnë vetëm tre ditë pasi SPAK ka urdhëruar arrestimin e 32 personave në 5 qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë, nga të cilët ekzekutuar 18 dhe 14 vijojnë të jenë edhe në kërkim.
SPAK mundi të shkatërronte pak ditë më parë 8 grupe kriminale, ndërsa kontrollet dhe shoqërimi i personave të skeduar është bërë dhe sot në qytetin e Fierit dhe të Korçës, pasi Dumani ka dëshmuar edhe për vrasjen e ndodhur në 25 Tetor 2021, ndaj biznesmenit Demir Backa.
Lajmi për vijimësinë e operacionit është konfirmuar nga drejtori i policisë së Shtetit Gledis Nano. Përmes një prononcimi për mediet, sa iu përket masave të marra në kuadër të finales së 25 majit, Nano u shpreh se operacioni është duke u zhvilluar, megjithatë pa dhënë shumë detaje.
“Ne jemi në operacion e sipër me SPAK . Ne nuk kemi ndaluar pavaresisht se nuk janë bërë mediatike zhvillimet e fundit që kemi patur, si gjatë mëngjesit të sotëm, dhe gjatë ditës së djeshme. Sa i përket dekonspirimit jemi duke hetuar bashkë me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për të patur një informacion sa më të saktë se çfarë ka ndodhur dhe nëse diçka e tillë ka ndodhur, gjithësecili do të mbajë përgjegjësi nëse ka dekonspiruar operacionin, i kujtdo strukture qoftë. Ende nuk kemi detaje nga operacioni i mëngjesit, pasi operacioni është aktualisht në zhvillim.”- tha Nano.