Presidenti i rizgjedhur i Francës, Emannuel Macron i është drejtuar popullit me mesazhe të forta bashkimi gjatë fjalimit të fitores të mbajtur nga podiumi i Kullës Eiffel.
I shoqëruar nga bashkëshortja Brigitte, nën tingujt e himnit evropian (Beethoven’s Ode to Joy), Macron është ndalur fillimisht për të përshëndetur mbështetësit që i besuan duke e rizgjedhur edhe për një mandat tjetër 5-vjeçar.
“Shumica prej nesh kanë zgjedhur të më besojnë mua”- tha Macron përballë elektoratit që brohorisnin “edhe një, edhe dy, edhe pesë vjet të tjera”, tepër i vetëdijshëm se një pjesë e mirë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme.
Presidenti francez u bëri thirrje mbështetësve që të mos i shajnë ata që votuan Le Pen, duke theksuar se tani e tutje nuk është më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve. Dhe si “president i të gjithëve, unë u them atyre që votuan për të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre’, tha Macron.
“Unë do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”, deklaroi ai.
I ndalur tek thirrjet e aleatëve se në këtë perjudhë të trazuar në kontinent, BE-së i duhet një Francë e përkushtuar ndaj unionit, Macron u shpreh se “Lufta e Ukrainës tregon se ne po jetojmë kohë tragjike”, dhe se “Franca duhet të ndërtojë forcat e saj”.
“Pas 5 vitesh transformim, më keni zgjedhur edhe për 5 vite të tjera. Dua të falënderoj të gjithë francezët që kanë besuar tek unë për të realizuar projektin tonë për një Francë më të pavarur dhe më të fortë. Nuk do të vazhdojmë me metodën e 5 viteve të shkuara. Unë do të punoj që të kemi një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është i ndarë, askush nuk do të lihet anash. Do të na duhet t’i përgjigjemi zemërimit të vendit. Unë nuk jam më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve. Ne kemi shumë për të bërë dhe lufta në Ukrainë është këtu për të na kujtuar se po kalojmë kohë tragjike”– tha Macron, duke shprehur krenarinë që i shërben sërish popullit francez.
Drejtuar rivales Marine Le Pen e cila paralajmëroi “një betejë të madhe për zgjedhjet legjislative” në qershor, presidenti francez deklaroi se në këtë epokë të re “nuk do të vazhdojë më me metodat e pesë viteve të fundit”.