Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve, Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico dha detaje për praninë e mutacioneve të reja të COVID-19 në Shqipëri, ku tha se ka një komunikim dhe informacion të përditshëm me laboratorin ku janë dërguar mostrat por se ka radhë. Megjithatë ajo tha se me firmën apo pa firmën e Anglisë ka dyshime të arsyeshme, nisur nga shifrat për praninë e varianteve të reja.
“Kur futet mostra për t’u sekuencuar ka një kohëzgjatje të caktuar, algoritmi i leximit të saj është tepër profesional. Mostrat janë çuar në laboratorin më të mirë në botë. Informacioni dhe komunikimi është i përditshëm. Nuk ka prioritizim, aty ka radhë, i ke dërguar dhe duhet të presësh.
Me mutacion, pa mutacion, ne kemi shifra ku kemi një dyshim të arsyeshëm. Ky dyshim i arsyeshëm që na vjen nga laboratori, fakti që kemi një dinamikë moshore të ndryshuar, fakti që u përballëm me një rritje të pozitiviteti menjëherë janë të gjithë elementë që me firmën apo pa firmën e Anglisë kemi dyshime të arsyeshme. Të marrim të mirëqenë faktin që virusi është këtu, ka një trend që ka treguar një veçori”, deklaroi Fico.