Disa javë më parë, opinion publik u bë dëshmitar i një dhune çnjerëzore të Policisë së Shtetit ndaj një 15 vjeçari në zonën e Liqenit Artificial.
Ditën e sotme, si një mënyrë për t’u shfajësuar, kreu i Policisë Ardi Veliu, bëri një komunikim sa jo të zakontë, aq edhe të padenjë për një drejtues të një institucioni kaq të rëndësishëm.
Kryepolici Ardi Veliu ka qënë i pranishëm në një lidhje live nga zyra e tij në Komisionin e Sigurisë, ku teksa është pyetur edhe për dhunimin e 15-vjeçarit në zonën e Liqenit disa javë më parë.
Në vend që të përgjigjej për dhunën e ushtruar nga 4 efektivë policie mbi një minoren, Veliu ka zgjedhur që të nxjerrë një video të nënës së tij, e cila shfaqej me një armë në dorë.
Video e Ardi Veliut:
“Punonjësit e policisë në një moment kanë një kapërcim të kompetencës. Ai që ka dhunuar është pezulluar dhe ka hetim nga SHÇBA. Po ky djali çfarë përfaqëson? A është bindur ai ndaj policisë? Do t’ju shfaq një video. Shikoni nga çfarë familjë vjen ky fëmijë. Ma treguan këtë video për të treguar se sa i edukuar është ky fëmijë. Nuk dua të justifikohem më. Jo se dua të mbroj Policinë. Por të jemi realist”, tha Veliu.
Mirëpo, gafat nuk mbarojnë këtu. Zaida Çobo, nëna e djalit që u dhunua, është një figurë e njohur për publikun shqiptar. Pan linçimit publik, me pamjet me armë në dorë, Çobo sqaroi se i kishte xhiruar gjatë një filmi. Ajo u shpreh se do të depozitonte një padi në prokurori për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
“Unë jam duke e ndjekur këtë çështje. Është bërë një kërkim mbi jetën time. Ndjehem e kërcënuar. Efektivi i SHÇBA-së më tha që ka mbrojtjen tonë, dhe nuk ndjehem më. Djali im vazhdon me psikolog, e ka marrë për t’u stërvitur Juventusi. Nëse është hapur Prokuroria do shkoj që tani për të bërë padi. Është lajm banal ajo që ka nxjerrë ai“, tha ajo.
Çobo ka qenë aktore në filmin “Dashuria s’mjafon”, që është shfaqur një vit më parë në kinematë shqiptare. Siç shihet dhe nga fotot, ajo në instagramin e saj ka promovuar këtë film dhe shihet me pistoletë në dorë dhe pozon para kamerës, po për turpin e Veliut, ky detaj nuk është vënë re.