
Policia e Vlorës ka nisur këtë të hënë një aksion për të kontrolluar ambientet e mbyllura të dyshimta, përfshirë magazina dhe sera.
Drejtori i policisë së Vlorës, Ermal Muçaj ka urdhëruar vartësit e tij që të kryejnë kontrolle në të gjitha ambientet e mbylla ku dyshohet se mund të ketë kultivim të lëndëve narkotike.
Mësohet se kontrollet do të jenë në të gjithë qarkun.
Ky urdhër në Vlorë vjen pas gjetjes të shtëpive të barit në disa qarqe të tjera të vendit.
Kujtojmë që pak ditë më parë autoritetet italiane ngritën shqetësimin për rritjen e numrit të shtëpive të barit në Shqipëri. Autoritetet sinjalizojnë preokupimin mbi një fenomen të ri, një metodologji e re, e quajtur indoor, për kultivimin e bimëve kanabis. Ky është konkluzioni i dalë nga takimi i tretë tekniko-operativ i zhvilluar në Romë mes autoriteteve policore italiane e atyre shqiptare.
“Grupet kriminale lokale në Shqipëri kanë hequr dorë nga kultivimi i kanabisit në fushat e hapura e në zonat pyjore të vështira për asgjësim e por praktikojnë mbjelljes e tij në sera, shpesh të pajisura me sistem ujitje e ngrohje të një teknologjie të lartë për të shpejtuar procesin e rritjes së rrënjëve kanabis.”, thuhet në raport.