Kosova 6 Shtator 2022, 14:25

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Laboratori i drogës në Leposaviq, Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e një laboratori për prodhimin e substancave narkotike, që është shkatërruar më 1 korrik të këtij viti.

Drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë për Pamfletin se arrestimi i të dyshuarit G.J. është bërë këtë të martë me urdhër të gjykatës.

“Mund të konfirmoj se i dyshuari me inicialet G.J., është arrestuar sot në mëngjes”, ka thënë Hoti.

I arrestuari ishte në kërkim që kur është shkatërruar laboratori i drogës që kishte në pronësi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar në korrik se laboratori është shkatërruar nga Policia e Kosovës në Leshak të Leposaviqit.

“Policia e Kosovës sot ka shkatërruar një laborator të gatshëm të fillojë përpunimin e substancave narkotike. Laboratori i shkatërruar në Leshak të Leposaviçit ka pasur të montuara dhe të gatshme për përdorim të gjitha pajisjet e përpunimit të substancave narkotike. Vlera e pajisjeve të konfiskuara është rreth 250.000 euro”, ka njoftuar Sveçla.

Prishtine Laborator i drogës Leposaviq Mitrovica e veriut Policia e Kosovës Xhelal Sveçla