Policia rrugore ka njoftuar prej ditësh që ka marrë në përdorim disa automjete inteligjente të cilat janë të pajisura radar. Këto makina “spiune të maskuara” po përdoren masivisht nga policia rrugore e cila ka piketuar në disa akse të vendit me bllok në dorë, duke vendosur me mijëra gjoba në pak kohë.
Mesa duket policia e ka hequr nga lista “këshillimin” apo limitin e tolerancës, duke “këputur” në gjoba të tipit ““mospozicionim siç duhet në korsitë e lëvizjes” të gjithë shoferët që qëndrojnë në korsi të majtë pasi kryejnë parakalim. Në rrjetet sociale janë shpërndarë edhe video të ndryshme ku qytetarët tregojnë gjobat e vendosura, sidomos në aksin Tiranë-Durrës e cila siç dihet rruga është në gjendje skandaloze, me gropa gjigante të cilat rrezikojnë jetën e udhëtarëve dhe është e pamundur të ecësh vetëm në korsinë e majtë.
“Kur të rregullojnë rrugën, atëherë le të vendosin gjoba këta gjenitë që janë vërsulur si gjobaxhinj me bllok në dorë”, shprehen shoferët e zemëruar për nismën e pakuptimtë duke marrë parasysh gjendjen e infrastrukturës rrugore në Shqipëri.
E si të mos mjaftonte kjo duket se policia rrugore po përdor edhe një rreng tjetër për të ndëshkuar shoferët. Makinat e policisë të pajisura me radar, ruajnë korsinë e djathtë me një shpejtësi 80-90 km/h, e nëse dikush kërkon të kalojë në krahun e majtë detyrohet të shkel shpejtësinë duke e tejkaluar limitin për të bërë të mundur parakalimin. Nëse vazhdon për pak më gjatë në korsinë e majtë, policia i faturon gjobën duke filluar nga 3 mijë lekë.