Anti-Mafia 7 Nëntor 2022, 13:06

Policia, uniforma të reja 32 milionë Euro; ato që Ardi Veliu i bleu me 28 milionë janë jashtë katalogut të BE 

Shkruar nga Pamfleti
Policia, uniforma të reja 32 milionë Euro; ato që Ardi Veliu i

Policia, uniforma të reja 32 milionë Euro; ato që Ardi Veliu i bleu me 28 milionë janë jashtë katalogut të BE  

SPAK duhet të marrë të pandehur, ish-drejtorin Ardi Veliu, ish-ministrin Sandër Lleshaj dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Plarent Ndreca, të cilët përveçse krijuan terren për vjedhjen e afro 11 milionë Euro me tenderin e vitit 2020; nuk paskan zbatuar as katalokgët e uniformave të policisë, duke shkaktuar ri-prodhimin e tyre me vlerë 32 milionë Euro të tjera nga buxheti i shtetit

Afera korruptive me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, ka nxjerrë një tjetër skandal që duhet ri-hetuar, paçka se drejtësia e mbylli me disa dënime simbolike të vartësve, por pa prekur shefat; Sandër Lleshaj, Ardi Veliu e Plarent Ndreca, që “bekuan” vjedhjen me afro 11 milionë Euro.

Sipas informacionit nga Ministria e Ekonomi- Financave, Policia e Shtetit ka kërkuar një fond të veçantë emergjence 32 milionë Euro në muajin janar 2023, për pajisje me uniforma të reja, për shkak të një situate të krijuar me uniformat ekzistuese.

Shkaku është ky: Uniformat aktuale, të futura në përdorim në muajin mars 2021, janë prodhuar jashtë katalogut dhe standardeve që ka përcaktuar EUROPOL, në marrëveshjen e bashkëpunimit me ish-Drejtorin e Policisë, Ardi Veliu.

Sipas Europol, 15 mijë uniformat që u prodhuan dhe u paguan me tenderin “Lleshaj- Veliu- Ndreca”, përveçse nuk kanë dizajnin e miratuar, nuk kanë as elementët e plotë identifikues, ndër to, mungesa e emrit të plotë të policit e numri personal fosforeshent dhe modeli ndryshe i uniformave të sektorëve.

Për këto arësye, është kërkuar që policia të pajiset me uniforma të reja, të prodhuara brenda katalogut e standardit të policive partnere e natyrisht jo kopje, por siç janë rekomandar nga EUROPOL.

Pra, do hidhen në kosh uniformat aktuale, të cilat ish- Drejtori Ardi Veliu i quajti moderne, me cilësi e standarde të njëjta si të policive në vendet e BE.

Mirëpo tani, rezulton se uniformat nuk janë porositur e nuk janë prodhuar me ato standarde, paçka se sipas raportit të KLSH e dosjes hetimore të SPAK, në tender u vodhën afro 11 milionë Euro, nga 28 milionë Euro që ishte fondi.

Aq e hapur dhe e madhe ishte vjedhja që firmosi Ardi Veliu me mikun e tij Ismail Kadiu të firmës “D&E Sh.p.k” dhe me firmën turke të dhëndrit të Erdogan; sa 1 kapele u ble 350 Euro, një rrip mesi 80 Euro e 1 palë këpucë të thjeshta u blenë 210 Euro, nga 100 Euro që i ka polici në Gjermani, Itali e Francë.

Sipas kontratës së firmosur me 20 shtator 2020 nga Ardi Veliu, unifoirmat e policisë janë paguar deri në mars 2025, por ato nuk do kenë më vlerë, ngaqë nuk janë prodhuar me standard e sipas katalogut.

SPAK duhet të marrë të pandehur, ish-drejtorin Ardi Veliu, ish-ministrin Sandër Lleshaj dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm, Plarent Ndreca; të cilët përveçse krijuan terren për vjedhjen e afro 11 milionë Euro me tenderin e parë, nuk paskan zbatuar as katalogët e uniformave të policisë, duke shkaktuar dhe ri-prodhimin e tyre me vlerë 32 milionë Euro të tjera nga buxheti i shtetit. /Pamfleti

Anti-Mafia #ato që Ardi Veliu i bleu me 28 milionë janë jashtë katalogut të BE #uniforma të reja 32 milionë Euro policia