
Policia malazeze ka zbardhur dinamikën e plotë të masakrës në Cetinjë, ku një person vrau 10 qytetarë dhe plagosi 6 të tjerë.
Sipas policisë, rezulton se rreth orës 15:30, Vuk Boriloviç, 34 vjeç, ka pasur një bisedë telefonike me një person tjetër, ku e ka njoftuar se i kishte vrarë dy fëmijët dhe bashkëshorten.
Sipas policisë, në momentin që efektivët kanë shkuar në zonë (15.50), kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe britma nga qytetarët. 34-vjeçari kur ka parë efektivët, ka hapur zjarr edhe ndaj tyre. Këta të fundit i janë kundër përgjigjur. Sipas policisë, efektivët kanë qëlluar rreth 20 plumba në drejtim të tij. Gjatë shkëmbimit të zjarrit një polic ka mbetur i plagosur.
Më tej theksohet se shkëmbimi i zjarrit ka vijuar për disa minuta dhe 34-vjeçari është tërhequr. Në këtë momente, dyshohet se autori ka pasur një tjetër telefonatë me një person. Në atë telefonatë ai i ka thënë që ka marrë jetën e shumë personave, por është i plagosur dhe nuk mendon se do të mbijetojë.
Pas kësaj telefonate, 34-vjeçari është qëlluar dhe nga një person tjetër, fqinj i tij. Aleksandar Boshkoviç, shefi i krimeve, ka thënë për mediat malazeze se personi që dyshohet se ka qëlluar ndaj Vuk Boriloviçin, nuk është arrestuar nga policia. Sipas tij, nuk dihet ende nëse viktima vdiq për shkak të plumbave nga policia apo nga personi në fjalë.
Zbulohen emrat e viktimave
Boriloviç fillimisht i mori jetën 3 anëtarëve familjes Martinovic, nënës Natasha Pejović Martinovic, 35-vjeçe me profesion infermiere, si dhe dy fëmijëve të saj të mitur, 8 dhe 11-vjeç.
Më pas vrau kumbarin e familjes Martinoviç, Milan Mitroviç (37-vjeç), i cili shkoi drejt banesës pas telefonatës së kryefamiljarit Millosh Martinoviç, që i kërkoi të shihte çfarë i kishte ndodhur gruas dhe fëmijëve të tij, por u gjend para breshërisë së plumbave.
Gjithashtu autori vrau dajën e tij, Goran Gjurishiç (54-vjeç), i cili u përpoqën ta ndalonte që t’u marrë jetë njerëzve të pafajshëm.
Në të shtënat humbën jetën edhe çifti i të moshuarve Dimitrije Drecun (81-vjeç) dhe Danica Drecun (74-vjeçe), djali i tyre Rajko Drecun (56-vjeç), si dhe fqinjët Danijela Radunoviç (51-vjeçe) dhe Aleksandra Radunoviç (52-vjeçe).
Ndërsa të plagosur mbetën gjashtë persona, dy prej të cilëve të shtruar në Spitalin e Përgjithshëm në Cetinje dhe katër në Qendrën Klinike të Malit të Zi.
U plagosën polici Ljubisha Maksimoviç (44-vjeç) nga Podgorica, si dhe banorët e Cetinjes, Sllavicës Zvicer (66-vjeç), Filip Gjurkoviç (33-vjeç), Mileva Ramadanoviç (76-vjeçe) , Darinka Çelebiç (88-vjeçe) dhe Aleksandar (32-vjeç).
Personat që janë shtruar në spitalin në Çetinje janë në gjendje qëndrueshme shëndetësore.