Aktualitet 7 Prill 2022, 11:16

Politikanet rrëfejnë dhunën dhe ngacmimet seksuale, Studimi: Mbi 40% e tyre përballen me gjuhë poshtëruese

Shkruar nga Pamfleti
Politikanet rrëfejnë dhunën dhe ngacmimet seksuale, Studimi: Mbi

Politikanet rrëfejnë dhunën dhe ngacmimet seksuale, Studimi: Mbi 40% e tyre përballen me gjuhë poshtëruese

Tre vite më parë, një politikane mësoi përmes një telefonate se ishte kandidate vetëm dy orë përpara shpalljes së emrave.

“Tashmë është vendosur se kush do të jetë kryetar, ju do të jeni një kukull,” i thanë përmes telefonit.

“Unë thashë se nuk e pranoj këtë lloj situate. Unë nuk jam një kukull. Kushdo që mendon se unë mund të jem një kukull e ka gabim…,” citohet të ketë thënë politikania në kushtet e anonimatit.

Rrëfimi i përket njërës prej grave të politikës, e intervistuar në kushtet e anonimatit në kuadër të studimit “Dhuna kundër grave në politikë”, i realizuar nga UNDP në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjetjet e studimit u publikuan të mërkurën në një tryeze të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me organizatat dhe institucionet e përfshira në realizimin e tij, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, e financuar nga Qeveria e Suedisë.

Sipas studimit, gratë politikane e karakterizojnë dhunën që përjetojnë si “të padukshme, tinëzare dhe të vështirë për t’u trajtuar”.

Duke u bazuar tek intervistat me gratë politikane dhe analizën tematike, studimi identifikon forma të ndryshme të dhunës në politikë, të tilla si përçmim dhe gjuhë fyese; ndërprerje, shaka të pista, akuza të rreme në media, kërcënimet, vënia në dyshim e aftësive të grave apo  heqja e tyre nga listat e kandidatëve të partisë.

Studimi thekson gjithashtu se gratë përmballen me mungesë të mbështetjes financiare gjatë fushatave zgjedhore, akuza të rreme ose thashetheme të natyrës seksuale, injorim apo kufizim të rolit të tyre në votimin e vendimeve të paracaktuara.

Gratë politikane pranuan se autoriteti kryesor i dhunës politike ishte partia e tyre politike. Sipas tyre, liderët e partive duken shumë mbështetës për gratë në publik, por i kërcënojnë dhe diskriminojnë gratë në prapaskenë.

Studimi i mblodhi të dhënat nëpërmjet 3 metodave, intervistave të drejtpërdrejta, fokus-grupeve dhe vëzhgimit të kandidatëve për deputetë, duke përfshirë qindra kandidatë burra dhe gra që garuan për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sipas tabelave të gjetjeve, kandidatët politikë kishin më shumë gjasa të raportonin se kishin pasur biseda degraduese ose thashetheme të rreme (31.05%), të ndjekur nga kërcënimet (13.40%), dëmtimi i pronës (10.16%) dhe dhuna fizike (1.96%).

Gjithashtu, politikanëve iu mohohet mbështetja financiare nga partia (18,52%), përjetojnë  kërcënime për shkarkim për shkak të përfshirjes së tyre në politikë (12,79%) si dhe përballen me kërcënime të përjetuara nga anëtarët e familjes.

Fjalët degraduese dhe thashethemet synonin kryesisht gjininë, moshën, statusin social apo ekonomik të kandidatëve.

Një përqindje më e lartë e grave se sa e burrave raportuan se bisedat degraduese ose thashethemet e rreme që ato përjetuan ishin të natyrës seksuale. 43.18% e të anketuarve femra që kanë përjetuar biseda degraduese ose thashetheme të rreme  Ndërkohë, ky ishte rasti për 8% të meshkujve.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se të dhënat, faktet dhe komentet e studimit ilustronin dukuri apo hipoteza të njohura dhe nuk sillnin dukuri, tendenca apo interpretime të reja. Sipas saj, pavarësisht kritikave ndaj partive politike, ato kanë qenë mekanizma që kanë shërbyer për zgjerimin e aksesit të grave në politikë. “Partitë kanë ende punë për t’u demokratizuar,”tha Nikolla, duke kërkuar që organizatat e grave të krijuara në institucionet politike të krijojnë një “front për të kufizuar dhunën me bazë gjinore në politikë”.

Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të huaja në tryezë diskutuan mbi rolin që duhet të luajë vetë politika dhe veçanërisht partitë politike në këtë drejtim, si dhe rolin e medias dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile për të ndalur dhunën me bazë gjinore në politikë.

Në mesin e dhjetra intervistave të marra, një tjetër grua e konsideron ‘abuzim psikologjik’ emrin e saj nga lista për deputetete.

“Abuzim psikologjik është kur konkurron dhe largohesh nga gara dhe askush nuk të jep shpjegim pse u largove… Unë kam qenë kandidate në zgjedhjet e fundit parlamentare. Plotësova formularin e vetëdeklarimit por çfarë ndodhi ishte se më hoqën emrin,” citohet ajo në studim.

Në rekomandimet e raportit i kërkohej medias që të mos publikojë artikuj me gjuhë përçmuese, që  përforcojnë stereotipet gjinore ose përjetësojnë dhunën. Raporti rekomadon gjithashtu që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) “duhet të marrë hapa për të siguruar që gratë që kandidojnë për poste politike të jenë të dukshme në media dhe atyre t’u ndahet një kohë e mjaftueshme për të komunikuar mesazhin dhe axhendën e tyre politike tek votuesit”./Reporter.al

Aktualitet #dhuna në politikë gjuhë poshtëruese Ngacmime Studim