Mbështetja që presidenti Aleksandër Vuçiç po i jep Vladimir Putinit po shfaq zëra kundër në Serbi. Ata paralajmërojnë kohë të vështira për shtetin serb nëse vazhdon të dalë kundër Perëndimit. Lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak u shpreh se Serbia duhet të rreshtohet me Perëndimin e jo Rusinë, sepse ndryshe “kthehet në kohën e gurit”.
Politikani serb, Çanak tha se Vuçiç duhet të vendosë shumë shpejt. “Ankthi më i madh i Aleksandër Vuçiç është se ai e di se sa të dhunshëm janë rusët dhe sa afër është që ndonjë ta helmojë ose ta vrasë brutalisht. Ai po provon të ekzaminojë opinionin publik. Madje ai thirri peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe. Vuçiç po provon të gjejë aleatë dhe të krijojë shpërqendrime, por do t’i duhet të vendosë shumë shpejtë”, tha Nenad Çanak për N1.
Gjithashtu analisti politik kroat, Dejan Joviç paralajmëroi se Serbia në të qenit hapur pro-Rusisë e duke mos u rreshtuar me sanksionet rrezikon të kthehet në gjendjen e viteve 90’ e përjashtuar krejtësisht nga perëndimi.
“Nëse Serbia vendoset në shtegun e saj specifik të barazimit të Perëndimit me Rusinë do të dëmtojë veten dhe Republika Srpska-n. Natyrisht, e gjithë kjo nëse Perëndimi eventualisht e fiton luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe ky fund nuk është në një të ardhme të largët”, tha profesori në Universitetin e Zagrebit.
Sipas tij, “shumëçka varet nga Serbia”, raportoi Danas. “Nëse vendosin të ndjekin Perëndimin, nuk shoh arsye për destabilizim në rajonin e Ballkanit. Përkundrazi, nuk shoh mundësi për përmirësim të marrëdhënieve mes vendeve dhe lidhjet së mëtejme të rajonit ashtu sikurse BE-ja që bashkoi forcat në çështjen e luftës në Ukrainë”, përfundoi analisti i njohur.