
Partia Demokratike ka dalë kundër emërimit të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Rama ka propozuar këtë të fundit te Begaj, por Gazmet Bardhi shprehet se ajo është shkarkuar si zv/kryetare e Inteligjencës së Kosovës për nxjerrje të informacioneve sekrete dhe nuk mund të marrë këtë post.
“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.
Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”, shkruan ai në rrjetete sociale.
Sipas Bardhit, Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. Sipas tij, SHISH nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.