Politike26 Mars 2023, 19:30

"Njëpërdorimsh"-ët e Bablokut/ A do përfundojë edhe Vlora Hyseni si Sandër Lleshaj?

Shkruar nga Pamfleti
"Njëpërdorimsh"-ët e Bablokut/ A do
Sandër Lleshaj dhe Vlora Hyseni

E njëjta skemë denigrimi: Pasi Sandrin e përzuri Saliu nga kupola e ushtrisë, Edi e mori këshilltar sigurie, pastaj e bëri ministër të Brendshëm duke e përdorur dhe në fund e përzuri; siç po vepron edhe me Vlora Hysenin, që pasi e përzuri Vjosa Osmani, e mori këshilltare, e tani do ta bëjë shefe të SHISH deri sa t’i nevojitet për qëllimet e veta

Nga ekspertët në Shqipëri e madje heshturazi edhe nga BE, NATO, FBI, SHBA, propozimi i Edi Ramës për të bërë Vlora Hysenin Shefe të Shërbimit Sekret, u konsiderua shkelje e Kushtetutës dhe cenim i sigurisë kombëtare.

“Pamfleti” paraqiti 4 kriteret kushtetuese e argumente ligjore, që ndalojnë emërimin e shtetases nga Kosova, Vlora Hyseni, në krye të Shërbimit Sekret të Shqipërisë, madje kryeministri Edi Rama e propozoi pa u konsultuar as formalisht me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Është dukshëm e qartë, që Edi Rama nuk e ka përzgjedhur “krye-spiunen e preferuar” të Hashim Thaçit, si “AS” të sigurisë rajonale e ndërkombëtare (siç po e trumbetojnë mediat e pushtetit), por si shërbestare e rekomanduar nga ata që e kanë përdorur në Kosovë e jashtë saj.

Propozimi i bujshëm për Vlora Hysenin në krye të SHISH, na kujton propozimin që Edi Rama bëri për të emëruar Ministër të Brendshëm Sandër Lleshajn, duke e prezantuar si “ideator reformator të policisë dhe dorë të hekurt në luftën kundër krimit e trafiqeve”.

Aq shumë u lumturua e kaloi në delir Sandër Lleshaj nga “pompimi” që i bëri Edi Rama, sa u betua se brenda 3 muajsh nuk do ekzistonte as 1 bimë kanabis, as 1 gramë kokainë e asnjë bandë kriminale në Shqipëri, duke thënë: - “Nga sot që po filloj detyrën, fytyra e policisë do jetë fytyra ime”; ndërkohë që Edi Rama e vendosi për të mos i luftuar ato.

Të njëjtën gjë, Edi Rama ka menduar edhe me Vlora Hysenin, e cila i duhet në krye të SHISH, për të grumbulluar, për të patur nën kontroll e për të filtruar informacionin, para se të dërgohet te agjentët e anti-krimit brenda vendit dhe te DEA, FBI, EUROPOL e NATO. Por edhe për ta përdorur SHISH-in e Vlora Hysenin, si person kyç për të fshehur zullumet e tij, sidomos në këtë kohë sikletesh amerikane për të.

Edi Rama synon ta përdorë si “çimkë” për të gjurmuar dhe zbuluar armiqtë e tij brenda e jashtë PS-së. Pastaj, edhe Vlorën e Hashimit, ashtu si Sandër Lleshajn, do ta hedhë si “leckë të përdorur”, madje është e njëjta skemë karriere kalimtare dhe e hidhur për të dy. Pasi Sandrin e përzuri Sali Berisha nga kupola e ushtrisë, Edi Rama e mori këshilltar sigurie, pastaj e bëri ministër të Brendshëm duke e përdorur banalisht dhe e përzuri; siç po vepron me kosovaren që pasi e përzunë Albin Kurti e Vjosa Osmani, e mori këshilltare, dhe tani do ta bëjë shefe të SHISH deri sa t’i nevojtitet për qëllimet e veta./Pamfleti

vlora hyseni sander lleshaj edi rama përdorja