
Kryeministri Edi Rama ka propozuar kreun e ri të SHISH. Sot në mëngjes ai u pa të ngjiste shkallët e Presidencës dhe duket se në fokus të bisedës me Bajram Begajn ka qenë kreu i ri i Shërbimit Informativ.
Aktualisht ky institucion drejtohet nga nënkryetari, dikur këshilltar i Ramës, Oljan Kanushi. Si duket Rama e ka nxjerrë nga loja atë dhe ka dërguar një tjetër këshilltare. Ai ka propozuar për kryetare Vlora Hysenin. Kjo e fundit ka qenë nënkryetar e Shërbimit Informativ në Kosovë, por u shkarkua nga detyra nga Kurti dhe Osmani. Më pas Rama e mori këshilltare në Kryeministri.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkruan Rama.
Deri në qershor të vitit 2021, Hyseni ishte nënkryetare e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës në Kosovë, por ajo u shkarkua nga detyra. Në shtator të atij viti ajo kaloi këshilltare e kryeministrit shqiptar për çështjet e sigurisë. Si duket Rama tani i ka besuar çelësat e SHISH.
Kush është Vlora Hyseni?
Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj. Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021 , kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.
Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ajo flet disa gjuhë të huaja.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.