Politike15 Prill 2024, 11:55

Zjarri në QSUT, ministrja Koçiu: Ka nisur puna për rehabilitimin, brenda majit urgjenca i kthehet funksionit!

Shkruar nga Pamfleti

Zjarri në QSUT, ministrja Koçiu: Ka nisur puna për

Për herë të parë, Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka folur për zjarrin në QSUT, ku prej dy muajsh urgjenca e re është jashtë funksionit.

Teksa raportoi në Komisionin për Shëndetësinë, Koçiu tha se ka nisur puna për rehabilitimin e urgjencës dhe pritet që shërbimi të jetë funksional për pacientët brenda muajit muaj.

“Janë zhvilluar procedurat për ta rikthyer këtë shërbim në gjendje pune. Kompania ka nisur punën për rehabilitimin, punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për ta rikthyer shërbimin”, tha ministrja Shëndetësisë Albana Koçiu.

Ministrja theksoi se ngjarja është në hetim nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa sqaroi se shkak për zjarrin është bërë një defekt teknik në katin -1, në një prej dhomave teknike ku ka pasur djegie të kabujve. Ministrja garantoi se nuk ka pasur defekt të pajisjeve biomjekësore të spitalit, pasi sipas saj falë këtij investimi sistemi ka reaguar dhe situata është normalizuar në kohë.

“Sa i përket incidentit, pa dashur të normalizoj dhe të jap më shumë rendësi se dihet, është në hetim nga prokuroria, por nga të dhënat paraprake nga grupi i punës mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur nga dhomat teknike ku ka patur djegie të kabujve elektrike, pa dëmtuar pajisjet biomjekësore të spitalit. Sot që flasim në QSUT vijon normalisht puna dhe i vetmi shërbim që është zhvendosur është urgjenca kardiake dhe ajo e sëmundjeve të brendshme”, tha Koçiu.

Zhvendosjen e shërbimit të kardiologjisë dhe sëmundjeve të brendshme te Trauma dhe Sanatoriumi, Koçiu tha se kjo tregon se profesionalzimi është i njëjtë në të gjitha spitalet vendit. Ministrja tha një situatë e tillë nëse do të kishte ndodhur vite më parë do çonte në kolaps të sistemit shëndetësor.

"QSUT është fytyra e vërtetë e transformimit të këtij spitali, siç është spitali i sëmundjeve të brendshme. Incidenti që jemi thirrur sot, tregoi se standardet dhe profesionalizmi është i njëjtë si në të gjithë vendit. Të gjitha spitalet janë të aftë sot të përballojnë fluksin e shërbimeve për të cilat urgjenca e QSUT nuk mund të japë shërbim. Deri pak vite më parë diçka e tillë do ishte e pamendueshme dhe ky incident do ta fuste në kolaps sistemin shëndetësor, kjo nuk është situata sot”, theksoi Koçiu.