Bota 7 Dhjetor 2022, 10:18

Polonia pranon ofertën e Gjermanisë, instalon sistemet ajrore “Patriot” për të forcuar sigurinë

Shkruar nga Pamfleti

Polonia do të instalojë sistemet mbrojtëse ajrore Patriot. Ministri polak i mbrojtjes Mariusz Blaszczak njoftoi në Twitter se vendi i tij ka pranuar ofertën e Gjermanisë, e cila disa javë më parë i ofroi Varshavës sisteme mbrojtëse ajrore Patriot, pas rënies së një rakete në kufirin e Polonisë me Ukrainës, ku humbën jetën dy civilë.

Fillimisht Varshava kishte refuzuar ofertën, duke thënë se do të ishte më mirë që sistemet mbrojtëse të instaloheshin në Ukrainë, shkruan Sky News.

Por, pas diskutimeve intensive me Gjermaninë zyrtarët polakë vendosën të pranonin ofertën për shtim të mbrojtjes ajrore.

Oferta e Gjermanisë erdhi pas rënies së një rakete, në fshatin Pshevodov pranë kufirit me Ukrainën, ku dy persona mbetën të vrarë. Presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri Mateusz Morawiecki paralajmëruan se kjo tragjedi mund të përsëritet. Po ashtu shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake paralajmëroi se mbrojtja ajrore nuk mbulon 100 % të territorit.

Vetë polakët, si dhe zyrtarët e tyre dhe NATO, treguan mirëkuptim për Ukrainën, duke pasur parasysh se atë ditë, forcat ruse kryen bombardime masive të objektivave në Ukrainë.


smile

Bota Gjermania Polonia sistemet ajrore “Patriot”