Ekonomi 6 Janar 2023, 13:55

Porti i Durrësit, një “portë” për Serbinë: 42% më tepër mallra kalim tranzit

Shkruar nga Pamfleti
Porti i Durrësit, një “portë” për Serbinë:

Me lejen e qeverisë shqiptare, d.m.th., me urdhër të Edi Ramës, kufiri dhe territori shqiptar, po shfrytëzohen nga Serbia si “han pa porta”, pa asnjë kontroll mallrash nga shërbimet ligjzbatuese të anti- krimit e Sigurisë Kombëtare dhe pa taksa doganore…

Në mbledhjen e qeverisë, Edi Rama përmendi shifra eksportesh e ulje importesh, por nuk bëri publik, faktin që Porti i Durrësit po shërben si “portë” hyrëse e dalëse tranzit për mallrat serbe.

Të dhënat që ka siguruar “Pamfleti” nga Ministria e Ekonomi-Financave, tregojnë se gjatë vitit 2022, kalimi tranzit i mallrave serbe në sistemin eksporte-importe nga Porti-Durrës, u shtua me 42% më tepër se gjatë vitit 2021.

Gjatë vitit të kaluar, Serbia kaloi hyrje- dalje nëpërmjet kufirit, territorit shqiptar e Portit Detar, 810 milionë Euro mallra, ndërsa gjatë vitit 2022, dogana ka regjistruar shifrën 1.1 miliardë Euro.

Sipas informacionit, qarkullimin e këtyre mallrave, që ka kaluar nëpërmjet territorit të Shqipërisë, shteti dhe bizneset serbe e kanë bërë me vende jo anëtare të BE, duke cenuar Protokoll-Regjimin Doganor të BE, të cilin Shteti Shqiptar e ka ratifikuar qysh në mars 1998.

Ky kalim mallrash serbe nëpërmjet kufirit e territorit të Shqipërisë, është shtuar si gjatë 5 viteve të fundit, por prej 2 vitesh, thuhet se nëpërmjet tyre bëhen trafiqe e kontrabandë, indicie që krijohet nga fakti, se Shteti Shqiptar nuk bënë procedura e raporte verifikimi të mallrave serbe.

Burime nga Drejtoria  e Kontroll-Standardeve dhe Regjimit Doganor në Ministrinë e Financave, pranojnë nën zë, se me urdhër të Edi Ramës, kufiri verior e Porti i Durrësit, po shfrytëzohen nga Serbia si “han pa porta”, pa asnjë kontroll mallrash nga agjencitë ligj zbatuese të anti-krimit e Sigurisë Kombëtare dhe pa taksa doganore e taksa të tjera.

Ky lejim mallrash, nuk ka asnjë lidhje me marrëveshjen “Ballkani i Hapur”, por me pazare të mbyllura ilegale, që Edi Rama bënë me mikun e tij Aleksandër Vuçiç dhe me bizneset klienteliste serbe, që kërkojnë rrugë e porta të hapura, për kalim mallrash “derr në thes” dhe me lehtësi e favore policore-doganore në vendet jashtë BE.

Po kështu, importet e mallrave serbe në Shqipëri, janë shtuar me 25% për vitin 2022, kryesisht produkte e lëndë të para ushqimore, për të cilat me urdhra të brendshëm të Ministrisë së Financave e Ministrisë së Bujqësisë, favorizohen me taksa të thjeshtuara në minimum. /Pamfleti

Ekonomi porti i Durresit Rama