
Pavarësisht debateve, pjesa e portit të Durrësit do merret nga investitorët arabë.
Qeveria ka firmosur sot Memorandumin e Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se Porti i ri do t’i japë Durrësit por edhe Shqipërisë një rritje të madhe ekonomike dhe një zhvillim zonës.
Sipas saj numri i lartë i turistëve e bën të domosdoshëm pasjen e një porti të ri, i cili do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë por edhe rajonit.
“Sa i përket ekonomisë, ekonomia do të sjellë një shpërthim në atë zonë, jo vetëm për ndërtimin e kësaj balline ujore, por edhe për marinën që do të ndërtohet në portin e Durrësit. Para se të niste ky projekt ne kemi patur shumë ankesa nga qytetarët sa i përket ndotjes akustike. Një port i ndërtuar shumë herët kur qyteti nuk kishte këtë zhvillim, nuk kishte kaq shumë turistë, duke marrë parasysh të gjitha ankesat, ne kemi vendosur para se ky projekt të niste që Porti i Durrësit të zhvillohej në një zonë industriale, që të kishim një port modern që t’i përgjigjet kërkesave jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë rajonit. Kompania holandeze është në hapat e prezantimit të një projekti të madh”, tha Balluku.
Ndërkohë Investitori Muhammed El Alabbar, deklaroi se do të krijojnë diçka madhështore nga e cila do të mahniten njerëzit e nuk do të duan të largohen. Për këtë shtoi se do të angazhohen mendjet më të ndritura të fushës.
“Ne do të krijojmë dicka që njerëzit kur të vijnë, do të duan të mos largohen kurrë. Këtë jua premtoj. Do ta marrim mendjet më të mira që të krijojmë një jetë të bukur. Mendoj që motori ekonomk shqiptar ia vlen. Shifrat janë shumë të larta të turizmit. Për mua personalisht është kaq privilegj që unë të marr pjesë e të vë në punë pasionin dhe dashurinë time për krijimin e kësaj jete në Shqipëri dhe Durrës. Ju premtoj se nuk do ju zhgënjej kurrë, por kur të bëj gabim do ju kërkoj falje”, tha Muhammed El Alabbar”, tha ai.