Aktualitet21 Dhjetor 2022, 13:44

Prapaskenat e frikshme të Richard Grenellit për Hashim Thaçin

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat e frikshme të Richard Grenellit për Hashim Thaçin

Prapaskenat e frikshme të Richard Grenellit për Hashim Thaçin

E parë në këtë logjikë, arrestimi i Hashim Thaçit aq urgjent, e aq i bujshëm ndërsa po udhëtonte në SHBA, ka pasur si motiv vetëm përpjekjet tij për të penguar drejtësinë dhe për të prishur Gjykatën.

Kur po mbushen më shumë se dy vjet nga arrestimi i Hashim Thaçit, janë zbuluar më në fund arsyet e vërteta të burgosjes së Presidentit të Kosovës, por edhe krerëve të lartë të UÇK-së.

Është Richard Grenell, njeriu që Donald Trump i kishte dhënë “carte blanche” për Ballkanin, i cili ka zbuluar prapaskenat e frikshmë të gjithë historisë që çoi në vendimin traumatik e me përmasa të rënda për tërë Kosovën, e sidomos për trashëgiminë e luftës çlirimtare.

Prapaskena për të cilën flet Grenel e që është publikuar edhe në gazetën ‘Nacionale’ është e bujshme: “Jack Smithi e paditi Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schwartzit të Departamentit të Drejtësisë se palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smithi do ta humbte vendin e tij të punës (si kryeprokuror i Speciales). Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë për ta përfunduar marrëveshjen finale.”

Pra konkretisht, Grenell po negocionte një vendim që mund të vinte në formë dekreti të Shtëpisë së Bardhë për të prishur Tribunalin Special për Kosovën. Një vendim, i cili dukshëm është nëgociuar nga Grenell e Trump pa përkrahjen e aleatëve europiane, e madje me një mosdakordësi të Departamentit të Shtetit e Drejtësisë.

E parë në këtë logjikë, arrestimi i Hashim Thaçit aq urgjent, e aq i bujshëm ndërsa po udhëtonte në SHBA, ka pasur si motiv vetëm përpjekjet tij për të penguar drejtësinë dhe për të prishur Gjykatën. Të cilën Thaçi politikisht e mbështeti në Parlament, falë edhe marrëveshjes që kishte bërë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Ndryshe nga Thaçi, i cili e mbështeti politikisht Gjykatën Speciale, si Vetëvendosja, ashtu edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk e votoi ligjin për Gjykatën Speciale, duke marrë një vendim politik, që ishte edhe rrisk në sy të SHBA e BE. Por në fund të fundit, ky qëndrim ishte krejt më transparent dhe i sinqertë se loja e Hashim Thaçit në hije për ta mbyllur gjykatën pas perdeve, ndërkohe që e kishte votuar.

E ndaj erdhi më pas edhe reagimi i ashpër i Gjermanisë, e natyrisht i Prokurorisë Speciale, që drejtohej nga një prokuror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I cili ka vendosur një masë preventive, siç e ka shqiptuar disa herë më shumë si pasojë e pengimit të drejtësisë, sesa akuzës në vetvete.

Megjithatë, edhe akuza nuk se duket një zhvillim aq i lehtë. Dënimi i Sali Mustafës, i cili është arrestuar në të njëjtë kohë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë mund të shërbejë si një precedent juridic, që aktin e dytë pritet ta nisë në janarin e vitit të ardhshëm. Por megjithatë, prapaskena e Grenellit, e ka bërë më të qartë një zhvillim që me thënë të vërtetën, ishte vetëm ‘Pamfleti’ që e bëri të ditur në shtatorin e vitit 2020. Ku e quajti një lëvizje të fortë të Angela Merkelit, për lojën pas shpine që i bëri Hashim Thaçi…/Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” #Prapaskenat e frikshme të Richard Grenellit për Hashim Thaçin