Bota 3 Korrik 2022, 21:52

Presidenti i Maqedonisë së Veriut mbledh Këshillin e Sigurisë kombëtare për çështjen e “propozimit francez”

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti i Maqedonisë së Veriut mbledh Këshillin e

Autoritetet qeveritare thonë se ky është propozimi më i mirë që i është ofruar Maqedonisë së Veriut dhe se “me këtë fitohet ajo për çka vendi është përpjekur ta arrijë prej vitesh”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me ‘propozimin francez’ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë., për t’i hapur rrugën e integrimit  Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, propozim i cili ka sjell shumë debate politike në Shkup.

Pendarovski tha se propozimi është i pranueshëm për të, por rekomandoi që të shtohet edhe një fjali, ku thuhet se “prej momentit të hapjes së bisedimeve me BE-në e deri në përfundim të tyre, nëse do të ketë përpjekje nga cilado palë, bullgare apo dikush tjetër, që të preket gjuha, dhe identiteti maqedonas, atëherë Maqedonia nuk duhet të presë, por të tërhiqet nga bisedimet”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski u takua lidhur me çështjen e propozimit francez, me drejtuesin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovsin të VMRO-DPMNE-së.

Autoritetet qeveritare thonë se ky është propozimi më i mirë që i është ofruar Maqedonisë së Veriut dhe se “me këtë fitohet ajo për çka vendi është përpjekur ta arrijë prej vitesh”.

Kritikët e kanë akuzuar qeverinë për lëshime ndaj kërkesave të qeverisë bullgare dhe sipas tyre propozimi do të ndryshojë të vërtetën për një numër figurash historike të popullit maqedonas.

Propozimi, edhe pse i bërë publik në faqen e internetit të qeverisë, nuk është i qartë për publikun e gjerë. Ndonëse aty theksohet domosdoshmëria për ndryshimin e kushtetutës dhe vendosjen e pakicës bullgare në Preambulë para fillimit të negociatave në mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, kushtet e tjera nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë midis Shkupit dhe Sofjes të arritur në vitin 2017, interpretohen sipas qasjeve politike.

/VOA

Rajoni #propozimi frances Bullgaria Maqedonia e Veriut