Deputetja e PD, Dhurata Çupi thotë se posti i Presidentit të ri i takon opozitës, ndaje dhe mazhoranca duhet të zgjedhë një nga emrat e propozuar prej PD-së dhe aleatët.
Ajo tha se qeveria për shkak të masakrës zgjedhore nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit, duke akuzuar se Rama po përdor situatën e përçarjes së opozitës për ta zgjedhur vetë Presidentin.
“Opozita po kalon për fat të keq një ‘dimër’. Është një opozitë që është votuar nga 650 mijë qytetarë dhe ka 62 deputetë. Ka dimrin e saj në këtë situatë, por kjo nuk duhet të përdoret nga Edi Rama që njihet tashmë si hilanjos në politikë dhe që nuk i zbaton marrëveshjet. Pra kjo situatë nuk duhet të shfrytëzohet prej tij për të kapur edhe Presidentin. Jemi një opozitë e përçarë, jam dakord, por ama kemi një grup parlamentar të Partisë Demokratike. Politika ka edhe moral. Nuk mund të lihen 650 mijë shqiptarë të papërfaqësuar në një vend demokratik. Mazhoranca nuk e ka moral, ashtu siç nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur e vetme presidentin. Nuk mund të anashkalohet duke gjetur hilen se opozita nuk është e bashkuar. Janë artikuluar nga opozita emra konkretë për Presidentin. Ne kemi propozuar katër emrat tanë që t’i zgjedhë maxhoranca. PS duhet të pranojë atë që i është dërguar me shkrim nga kryetari i Grupit të PD-së”, tha Çupi.