Komisioni për Çështjet Ligjore ka zhvilluar seancën për të konstatuar mungesën e kandidaturës për President dhe njëkohësisht dështimin e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e Kreut të Shtetit.
Komisioni i ka dorëzuar Kuvendit raportin për të ezauruar procedurat e votimit të parë, pasi ky votim quhet i vlefshëm edhe kur nuk ka asnjë kandidat të propozuar.
“Komisioni i Ligjeve mblidhet për të shqyrtuar kriteret kushtetuese pas paraqitjes së emrave. Sipas njoftimit nga drejtoria përkatëse Kuvendit deri dje nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për president të Republikës. Në këto kushte, raundi i parë konsiderohet i kryer edhe pa asnjë kandidaturë. Për efekt të rregullores ne do të na duhet që ta konstatojmë këtë fakt, për t’ja paraqitur më par Kuvendit”– tha Hysi.
Vlen të theksohet se, socialistët i mbajnë ende diskrete emrat e propozuar në zarfe, ndërkohë që opozita është e përfshirë në dy grupe paralele negociatorësh që kanë për qëllim nxjerrjen e një apo disa kandidaturave konsensuale së bashku me votat e shumicës.
Kushtetuta ka parashikuar që tre raundet e para të zhvillohen me 84 vota, ndërsa në raundin e fundit Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ku mazhoranca i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme Presidentin.
Pra, me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, opozita nuk e bllokon procesin edhe nëse nuk merr pjesë në seancë, çka do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota. Në këto terma, nëse palët nuk bien dakord që të ulen për votim me një emër konkret, digjen 3 raundet e para, dhe mazhoranca miraton një emër në raundin e 4, për të cilin i ka 74 votat e nevojshme pas zgjedhjeve të 25 prillit.