Aktualitet15 Maj 2022, 16:32

"Presidenti"/ Me asnjë emër të propozuar, ‘digjet’ raundi i parë për zgjedhjen e Kreut të Shtetit

Shkruar nga Pamfleti
"Presidenti"/ Me asnjë emër të propozuar,

Foto Ilustruese

“Digjet” raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri.

Mësohet se, palët politike kanë dështuar të sigurojnë një kandidaturë brenda afatit të caktuar, i cili ishte ora 16:00 e kësaj të diele.

Raundi i parë do të mbahet nesër në orën 17:00, por pa një emër konkret. Mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë arritur në konsensus të përbashkët për emrin e kreut të ri të shtetit, ndërsa në negociatat mes kryetarëve të grupeve parlamentare, refuzoi të merrte pjesë kreu i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj. Në takimin që zhvilloi me Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun të premten, Taulant Balla u shpreh se janë vendosur piketa për një President konsensual, por ende pa një emër konkret. Sipas kreu të grupit të PS-së, në ditët apo edhe “orët në vijim” do të ketë sërish bisedime për emrin e presidentit.

Një ftesë për pjesëmarrje të opozitës në proces erdhi edhe nga kreu i republikanëve, Mediu, i cili nënvizoi se nëse nuk do të ketë unitet në opozitë për të propozuar një kandidat të përbashkët atëherë edhe grupi parlamentar që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi.

Nga ana tjetër, Alibeaj e ka bërë të qartë se nuk do të ulet në negociata me mazhorancën nëse nuk merret për bazë drafti me formulën dhe kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri, i propozuar nga ai pak ditë më parë.

Sipas draftit, PD kërkon që të propozojë 4 emra kandidatësh e mes tyre të arrihet një dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës për emrin që do t’i dërgohet Parlamentit për votim. Kjo nuk është pranuar nga mazhoranca socialiste, e cila thekson se ky draft është i vlefshëm për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por jo Presidentit.

Vlen të theksohet se, një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për President. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra opozita nuk e bllokon procesin edhe nëse nuk merr pjesë në seancë, çka do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota. Në këto terma, nëse palët nuk bien dakord që të ulen për votim me një emër konkret, digjen 3 raundet e para, dhe mazhoranca miraton një emër në raundin e 4, për të cilin i ka 74 votat e nevojshme pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit edhe me raundin e 4, shpërndahet Parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, shanset për skenarin e fundit janë të pakta, për t’mos thënë zero, pasi socialistët i kanë 74 votat e nevojshme për raundin e katërt.

Kryesore Presidenti