
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen nesër në Tiranë, zbardhet agjenda
Zbardhet axhenda e Presidentes së Komisionit Europian në Tiranë, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së nesërme në Tiranë. Mësohet se ceremonia e mikpritjes do të zhvillohet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 14:30.
Më pas do të ketë një takim bilateral mes dy delegacioneve në Kryeministri rreth orës 15:45. Dhe në përfundim do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp mes saj dhe kreut të qeverisë Edi Rama në sallën COD, të Kryeministrisë, më 16:30.
Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen po viziton këtë javë Ballkanin Perëndimor. Turi ballkanik ka nisur me Maqedoninë e Veriut ditën e sotme. Nesër von der Leyen do të ndalet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Ndërkaq, ditën e premte në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të përmbyllet të shtunën, me Malin e Zi. Vlen të theksohet se, turi ballkanik i Von der Leyen vjen një javë para Samitit Ballkanit Perëndimor – BE, i cili do të organizohet më datë 6 dhjetor, në Tiranë.