
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ditën e sotme do të vizitojë Tiranën.
Presidentja e KE-së pritet që të mbërrijë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 14:30 dhe më pas në orën 15:45 do të zhvillohet një takim bilateral mes dy delegacioneve në Kryeministri.
Sipas asaj që parashikohet në agjendë, në orën 16:30 do të ketë edhe një konferencë për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ursula von der Leyen.
Vizitat në vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyn i nisi në Shkup të mërkurën.
Po sot ajo do të vizitojë Kosovën dhe të njëjtën ditë do të mbërrijë në Tiranë.
Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Sarajevë më 28 tetor dhe në Beograd. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi të shtunën, më 29 tetor.
Von der Leyen në rajon do të diskutojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat që ka, si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për tërë Evropën, do të jetë po ashtu një prej temave që pritet të diskutohen.
Në Bruksel thonë se tashmë është evidente se ka ardhur deri tek intensifikimi i kontakteve në nivele më të larta mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të vazhdojë. Janë zhvilluar disa takime në nivel të ministrave edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku merr pjesë edhe BE-ja.
Ndërkaq, në javën e parë të nëntorit pritet të zhvillohet edhe samiti i Procesit të Berlinit. Më pas, më gjashtë dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i veçantë i liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka konfirmuar se samiti do të zhvillohet më 6 dhjetor, por në Tiranë e jo në Bruksel apo Pragë.
“Ne do të zhvillojmë samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në rajon. Më 6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri, për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përforcuar” ka shkruar në rrjetet sociale Michel.
“Ne do të zhvillojmë samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në rajon. Më 6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri, për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përforcuar” ka shkruar në rrjetet sociale Michel.
Samiti i fundit i Ballkanit Perëndimor është zhvilluar në Bruksel në fund të qershorit të këtij viti kur kryesimin e radhës me BE-në e kishte Franca. Takimi kishte kaluar në një atmosferë jo edhe aq pozitive, sepse ishin dëgjuar shumë kritika drejtuar BE-së për dështime ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në atë kohë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin të bllokuara në procesin e integrimit dhe nuk mund të nisnin negociatat e anëtarësimit.
Nuk kishte lëvizje as në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.
Burimet në Bruksel thonë se ndërkohë kanë ndodhur ndryshime pozitive që japin shpresë se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë hapur negociatat e anëtarësimit, që nga Komisioni Evropian është quajtur si “kthesë historike në procesin e zgjerimit”.
Agjenda e plotë:
Programi i vizitës së Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në Tiranë, 27 Tetor 2022
14.30 – Ceremonia e mikpritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
16.30 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në sallën COD, Kryeministri.