Politike27 Shtator 2022, 18:33

Primaret në PD/ Zhupa kundër Berishës: Duhet të dalim me kandidat të përbashkët me Metën, e vetmja rrugë për të fituar zgjedhjet!

Shkruar nga Pamfleti

Primaret në PD/ Zhupa kundër Berishës: Duhet të dalim me kandidat të përbashkët me Metën, e vetmja rrugë për të fituar zgjedhjet!

Sali Berisha prezantoi rregullat për primaret brenda Rithemelimit, mirëpo deputetja Ina Zhupa është “kundër”, pasi thotë PD-ja dhe Partia e Lirisë duhet të dalin me një emër të përbashkët për kryebashkiak në zgjedhjet vendore.

Për Report Tv, Zhupa shtoi se nëse do dilet me 2 kandidatë të ndryshëm atëherë humbja do të ishte e garantuar, pasi përballë kanë pushtetin qendror dhe vendor të përqendruar në duart e një partie.

“Nuk ka krisje brenda kampit opozitar, dje në mbledhje është vërë fokusi te nevoja për të bërë aleancë me çdo parti opozitare, me të gjitha sindikatat dhe PL është aleat i PD në këtë situatë dhe jam i mendimit që duhet të dalim me kandidat të përbashkët, pastaj formula e përfaqësisë të dalë në rezultate të bashkëpunimit. Ballë për ballë kemi pushtetin qendror dhe vendor, dhe prandaj duhet të dalim me një kandidat”, tha Zhupa.

Duket se PD-ja e Berishës ka 2 standarte, pasi për çështjen e ‘Non Gratës’, thonë se nuk ka prova e ndërsa për rastin e lobimit rus të PD-së në kohën e Bashës e kanë marrë si të mirëqenë madje kanë ngritur edhe një komision hetimor. Mirëpo, Ina Zhupa, mbështetëse e Berishës, thotë se për të dyja rastet ka të njëjtin qëndrim, të flasë drejtësia.

“Çudi që e di Balla, një përfaqësues kundërshtar i PD, se cfarë do i ndodh atij, për mua e rëndësishme që çdo provë për ‘Non Grata’ në SHBA e Mbretërinë e Bashkuar duhet të jetë një provë që shkon dhe ballafaqohet në sistemin e drejtësisë dhe qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush janë provat dhe arsyet, pse një person është shpallur ‘Non Grata’. Nëse ka elemente le të përballet me drejtësinë. Berisha nëse do të ketë një dënim, nuk do të lejohet të kandidojë në asnjë pozicion.

Drejtësia, provat, zoti Basha është ish kryetar i PD i cili ka qeverisur PD me prirje pro amerikane, kështu e kam parë, nëse ka prova nga ambasada, nga VOA, apo nga DASH atëherë provat të bëhen publike, drejtësia duhet të flasë dhe të marrë në shqyrtim provat e reja. Ngritëm grupin e auditimit, ne ishim të shqetësuar se prova brenda partisë nuk ka, por Komisioni do tentojë që të hetojë, le të shikojmë rezultatet. Diskursi i ‘Non Gratës’ dhe parave ruse, nuk i shërben qytetarëve, se sot qytetarët janë të keq qeverisur”, tha Zhupa.

Ndalur te situata brenda parti, kur ka një shumicë që flet për dy palë, apo edhe më shumë, për deputeten demokrate është treguar se tashmë ka vetëm një PD, një aksion politik duke thënë se “vula” është vetëm një çështje në Gjykatë që shkon për interes të Ramës, pasi në terren situata dihet mjaft qartë.

Është marrë një vendim gjyqësor në shkallën e parë, po kjo nuk është reflektuar asgjëkundi dhe tani jemi në Apel që kanë pranuar një padi, që nuk ka një palë, se është një parti që reflekton ndryshimet e statutit, unë nuk i hyj fare kapjes së sistemit gjyqësor, Rama është më i interesuari që të ketë ngërç në PD, ajo është e qartë, ku janë njerëzit, strukturat dhe vendimmarrje. Do ishte e paqartë nëse do kishim 2 aksione opozitare, apo 2 drejtues, sot nuk ka 2 palë, keni parë mbledhjen e ndonjë strukture të partisë, ka vetëm një organizim të partisë që është ai zyrtari, të gjithë do të përfshihen në primare si një rrugë me votën e anëtarëve dhe me votë do të vendosin një kandidat”, përfundoi Zhupa.

Vlen të theksohet se, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se opozita duhet të dalë me kandidatë të përbashkët, me argumentin se nuk janë në kushtet që të jenë të ndarë.

Politike Berisha Meta