Kosova25 Tetor 2022, 08:59

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin në mënyrë paqësore çështjen e targave.

Këtë apel Blinken e bëri disa ditë para afatit të fundit (31 tetor) për ndërrimin e targave ilegale të lëshuara nga institucionet e Serbisë, në ato RKS.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u pyet lidhur me mesazhin e Sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit po afrohet. Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për çka ripohoi mbështetjen amerikane.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Price.

Ai mes tjerash tha se Blinken ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e që nga të dy kërkoi angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet.

“Kjo është arsyeja pse Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Gabel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Ai foli me presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.

Tutje, Price tha se ka shpresë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet gjatë ditëve në vijim.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se ato mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për “The Pavlovic Today”.

Vetëm një ditë më parë, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se nuk është aspak optimist se një marrëveshje finale midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Prishtine Antony Blinken dialogu Kosovë-Serbi Targat ilegale

Kosova