Aktualitet24 Prill 2019, 09:28

Prishtina dhe Tirana të refuzojnë “Sovranitetin e dyfishtë” për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Prishtina dhe Tirana të refuzojnë “Sovranitetin e

Prishtina dhe Tirana të refuzojnë “Sovranitetin e dyfishtë” për Kosovën

Projekti i “sovranitetit të dyfishtë” rezulton një përpjekje e re diplomatike për të kapërcyer bllokimin, që ndodhi pas hedhjes së tezave të rrezikshme për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, teza të cilat i profesuan presidentët e të dy shteteve, për arsye dhe për interesa, që i dinë vetëm ata.

Shkruan Shaban Murati

Ndër formulat e shumta, që po qarkullojnë në kuluaret diplomatike europiane për neutralizimin e shtetësisë së Kosovës, ka dalë në sipërfaqe edhe projekti i një “sovraniteti të dyfishtë” për Kosovën. Për sa kohë ishte vetëm temë mediash, mund edhe të mos merrej në shkallën e duhur të konsideratës shtetërore e diplomatike mbarëshqiptare.

Por kur në datën 17 pril 2019 në Moskë, në konferencën e përbashkët të shtypit me ministrin e jashtëm serb, ministri i jashtëm i një shteti të rëndësishëm si Rusia, Sergej Lavrov, deklaron se “kemi ende për të diskutuar për çështjen e “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën” dhe thekson se “kjo u takon miqve tanë serbë të vendosin”, atëherë edhe Prishtina, edhe Tirana, duhet të ndalen dhe të analizojnë rrethanat dhe gjitha komplikimet e projektit të “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën.

Në fakt elementet, që janë bërë të njohura deri tani për këtë projekt diplomatik, nuk janë të shumtë. Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç sqaroi në datën 17 prill se kjo do të thotë që Veriu i Kosovës të ketë sovranitet të dyfishtë: edhe nga Kosova, edhe nga Serbia.

Në datën 19 prill ministri i jashtëm serb shtoi edhe një hollësi tjetër, duke njoftuar se sipas kësaj formule Veriut të Kosovës do t’i lejohet të organizojë  një referendum brenda 10 vitesh. Anëtarja ruse e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, prof. Elena Guskova, që është drejtoreshë e Qendrës së Krizës Ballkanike në Institutin e Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, në datën 19 prill bën interpretimin rus të projektit të“sovranitetit të dyfishtë”,duke e përkufizuar si “sovranitet i shqiptarëve në Kosovë dhe sovranitet i Serbisë mbi serbët në Kosovë dhe mbi kishat dhe manastiret serbe”.

Edhe nga këto pak elemente të publikuara nga figura, që janë të njohur me prapaskenat e përgatitjes së formulave diplomatike për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e kupton se në thelb kjo formulë zyrtarizon vendosjen e sovranitetit të Serbisë mbi Veriun e Kosovës. Nëse shohim edhe interpretimin rustë kësaj formule, shkohet deri tek legalizimi i sovranitetit të Serbisë mbi serbët e Kosovës, që do të thotë në tërë Kosovën. Pra formula zhbën sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës.

Projekti i “sovranitetit të dyfishtë” rezulton një përpjekje e re diplomatike për të kapërcyer bllokimin, që ndodhi pas hedhjes së tezave të rrezikshme për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, teza të cilat i profesuan presidentët e të dy shteteve, për arsye dhe për interesa, që i dinë vetëm ata.

Duke parë që formula e “shkëmbimit të territoreve” nuk ndezi dot as në publik dhe as u pranua nga disa shtete të rëndësishme europiane si Gjermania dhe Britania e Madhe, atëherë u hodh në qarkullim propozimi i ri i “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën. Formula e re në fakt zëvendëson apo është një etiketë e re për tezën e “shkëmbimit të territoreve”.

Vetëm se në këtë rast nuk shkëmbehet hapur territori dhe formalisht nuk jepet Veriu i Kosovës, por zëvendësohet me vendosjen e sovranitetit zyrtar të Serbisë në Veriun e Kosovës. Kjo duket është planifikuar si  fazë e parë, kurse faza e dytë, siç pohoi  edhe ministri i jashtëm serb, do të jetë referendumi brenda 10 viteve i pjesës veriore, ku pakica serbe është shumicë dhe natyrisht do të votojë bashkimin me Serbinë.

Është vërtet skandaloze kur e mendon që bashkësia ndërkombëtare me të drejtë i ndalon të ashtuquajturës “serpska republika” të organizojë referendum për shkëputje nga shteti i Bosnje-Hercegovinës, kurse pakicës serbe në Veri të Kosovës me këtë projekt ia njeh të drejtën e shkëputjes përmes votimit.

“Sovraniteti i dyfishtë” i heq shtetit të pavarur të Kosovës sovranitetin mbi pjesën e territorit të vet, që është Veriu i Kosovës. Dhe më tej, i heq sovranitetin shtetit të Kosovës mbi territorin e vet, ku janë ndërtuar kishat dhe manastiret ortodokse serbe, që praktikisht legalizohen si territore të Serbisë.

Me këtë status, që i jep kjo formulë, me sovranitet serb në territoret, ku janë ndërtuar kishat dhe manastiret ortodokse, Serbia fiton të drejtën e drejtimit dhe të kontrollit të atyre territoreve, dhe rrjedhimisht edhe të drejtën e garantimit të sigurisë së tyre.

Nën këtë pretekst i hapet rruga futjes së forcave policore dhe speciale serbe në territoret e Kosovës, në emër të garantimit të sigurisë në ato territore të Kosovës, ku janë ndërtuar kishat dhe manastiret ortodokse, dhe që projekti i “sovranitetit të dyfishtë” i legalizon si sovranitet i Serbisë.

Ka diplomatë, që përpiqen ta justifikojnë “sovranitetin e dyfishtë” si një mënyrë për të joshur Serbinë që të pranojë njohjen e Kosovës si shtet. Në fakt “sovraniteti i dyfishtë” është një darovitje për Serbinë, që e nxit më shumë të mos e njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Sepse, përderisa sovraniteti i Kosovës po mohohet në Veriun e territorit të saj, përderisa sovraniteti i Kosovës po mohohet në ato pjesë të territorit të saj, ku janë ndërtuar kishat dhe manastiret ortodokse serbe, kjo do të thotë që praktikisht nuk do të ekzistojë një sovranitet i shtetit të Kosovës, nëse ndiqet formula e “sovranitetit të dyfishtë”.

Ajo, që e bën interesante intrigën diplomatike dhe mediatike të projektit të“sovranitetit të dyfishtë” është sforcimi i Beogradit për t’u shtirë sikur ai nuk është dakord me këtë formulë. Madje edhe presidenti serb, edhe ministri i jashtëm serb, po bëjnë të habiturin nëpër konferenca shtypi sikur e dëgjojnë për herë të parë.

E vërteta e thjeshtë historike dhe aktuale është se projekti i “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën është një projekt i vjetër i diplomacisë dhe i shtetit serb. Po freskojmë kujtesën e diplomacisë dhe të mediave serbe, ballkanike dhe europiane, se në datën 19 dhjetor 2011, gjatë vizitës së tij në Shkup, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi zyrtarisht dhe publikisht propozimin e Serbisë: “Një zgjidhje e mundshme për Kosovën mund të jetë sovraniteti i dyfishtë,i bazuar në precedentët e praktikës ndërkombëtare”.

Këtë projekt të vjetër të diplomacisë dhe të shtetit serb Beogradi po kërkon ta shesë sikur nuk ka origjinë serbe, por qenka brukselian, gjerman, etj. Por memoria historike dhe diplomatike e ka regjistruar identitetin e projektit si produkt diplomatik i Serbisë. Ndaj dhe Rusia e shprehu përkrahjen në 17 prill për këtë projekt dhe ministri i jashtëm rus nuk deklaroi më kot se u takon “miqve tanë serbë ta vendosin”.

Deklarata e Sergej Lavrovit se “kemi akoma për të diskutuar për “sovranitetin e dyfishtë”, tregon se diplomacia ruse po punon fort që kjo formulë të zërë vend dhe të pranohet ndërkombëtarisht. Një formulë, që nuk e zgjidh aspak problemin, dhe e cila plotëson oreksin e Serbisë për Veriun e Kosovës, dhe që gjymton sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës. Pra, e lë problemin hapur si burim konflikti midis dy shteteve, ashtu siç i intereson Rusisë, e cila nuk është për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Rusisë i duhet vatra e hapur e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, si për të mbajtur të lidhur Serbinë pas vetes, ashtu dhe për të patur një shteg ndërhyrje të vazhdueshme në Ballkan.  Nuk është e rastit që në komunikatën e saj të 18 prillit Ministria e Jashtme ruse përsërit urrejtjen e saj klasike kundër pavarësisë së Kosovës. Nuk është e rastit që një zë autoritar i mendimit politik zyrtar rus si akademikja Guskova, i drejtohej në 19 prill protestuesve serbë, që protestojnë çdo të shtunë në rrugët e Beogradit, që të dalin me thirrjen dhe parullën “Jo pavarësisë së Kosovës”.

Në një situatë të tillë, kur qëllimisht po krijohet konfuzion, kur diplomacia e kulisave po ofron formula e projekte të dëmshme, sipas parimit oportunist “të kënaqin edhe dhinë, edhe lakrën”, pra edhe shtetin  agresor, edhe shtetin  viktimë, qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë duhet të jenë syçelë dhe të mos ndjekin pa u menduar formulat e gabuara. Prishtina dhe Tirana duhet të mos kundrojnë të heshtur nga galeria vorbullat e njëpasnjëshme diplomatike, që synojnë të mbysin shtetin e pavarur të Kosovës.

Serbia dhe udhëheqësit serbë flasin pesë herë në ditë dhe kudo që shkojnë për formulat, që përkojnë me interesat e tyre në bisedimet me Kosovën. Nuk ka informacion se kush ua ka këshilluar Prishtinës dhe Tiranës që të mos prononcohen për formulat e dëmshme, që po dalin njëra pas tjetrës, dhe të harrojnë nevojën për t’i kundërshtuar ato dhe për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

Heshtja e pakuptimtë nuk i forcon pozitat biseduese në tavolinën e tratativave diplomatike. Përkundrazi shpreh inferioritet dhe dobësi. Ndaj Prishtina dhe Tirana duhet, veç e veç ose së bashku, ta refuzojnë formulën e dëmshme të “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën.

Forum ''sovraniteti i dyfishtë'' për Kosovën Prishtina dhe Tirana Shaban Murati