Aktualitet12 Nëntor 2022, 15:29

Priten të tjera arrestime? Nuredin Dumani del nga qelia dhe çon SPAK-un tek bazat ku organizoheshin vrasjet

Shkruar nga Pamfleti
Priten të tjera arrestime? Nuredin Dumani del nga qelia dhe çon

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dalë nga ambientet e burgut dhe nën shoqërinë e oficerëve të BKH-s, është çuar në vendet ku ai ka zhvilluar takimet për marrjen e porosive për vrasjet.

Dumanin e kanë dërguar në disa zona në Tiranë, Durrës, në Rrogozhinë dhe Elbasan, vende këto ku ai i ka identifikuar si pika takimi mes personazheve të botës së krimit.

Ai është dëshmitari kryesor dhe më i rëndësishme i SPAK, në raport me tre bashkëpunëtorët e tjerë si Henrik Hoxhaj, Klevis Alla dhe Euglen Halili. Fakti që e kanë nxjerrë në terren, tregon se mund të dalin informacione të reja në dritë dhe mund të ketë arrestime të tjera.

Dumanin e kanë dërguar edhe në Elbasan, për të identifikuar pozicionin e goditjes në 29 Mars 2022, në zonën e Papërit.

Pikërisht në këtë vend, ai ka treguar trajektoren e lëvizjes, vendin e dorëzimit të një automatiku kallashnikov tek një person që mbërriti atë ditë nga Elbasani në Papër si dhe momentin final të goditjes me armë nga Talo Çela.

Po ashtu i penduari i drejtësisë ka identifikuar dhe pallatin në Elbasan ku ka zhvilluar takim me Erjon Alibej dhe Arjan Spahinë, nga të cilët ka lidhur një marrëveshje për spastrimin e 7 personave.

Dumani ka çuar SPAK-un dhe BKH-në dhe në shtëpinë e braktisur në Krastë, ku siç ka treguar në rrëfimin e tij, në atë shtëpi ai ka takuar Florenc Çapjan, Bledar Muçën dhe Ervis Çaushollin, ku së bashku kanë diskutuar planin për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.

Po kështu Dumani ka çuar SPAK-un dhe tek hyrja e një garazhi në Durrës, ku siç pretendon ai, së bashku me Talo Çelës kanë vrarë për llogari të Fetsim Qolit, Fatmira Dedaj, nënën e Ervis Dedaj.

Në rrëfimin e tij dhënë në SPAK, ai ka treguar dhjetëra emra të botës së krimit, me të cilët ai ishte takuar dhe kishte rënë dakord për të kryer vrasje.

Pjesën më të madhe të vrasjeve Dumani i ka kryer me pagesë, duke ekzekutuar shokët e tij të ngushtë me të cilët ai disa kohë më parë kishte kryer vrasje.

Nuredin Dumani u arrestua në mars të këtij viti, pas një operacioni nga forcat RENEA, vetëm dy orë pas atentatit ndaj Talo Çelës.

Ai u kap në një apartament në Fier dhe më pas u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, pas plagëve të marra në përplasjen me armë të ndodhur në Papër të Elbasanit, ku dyshohet se tentoi të vriste “mikun e vjetër”.

Dumani ka nxjerrë në pah rreth 100 emra të rinj të botës së errët të krimit në vendin tonë.

Aktualitet Nuredin Dumani SPAK