Kreu i qeverisë Edi Rama ka zhvilluar një takim me disa projektues holandezë sa i përket projektit për portin e ri të Durrësit. Që në nisje të takimit, Rama është shprehur entuziast për prezantimin e këtij projekti.
Përmes një deklarate, zyra e shtypit të Kryeministrisë njofton se: “Vepra, për të cilën synimi është që të jetë porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor, po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model, me impakt të shtrirë në të gjithë rajonin.”
Projektuesit shpalosën vizionin për portin e ri të Durrësit nëpërmjet një filmi të realizuar nga studio holandeze.
“Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.
Ndërkohë, Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030. “Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – tha kreu i qeverisë, teksa vlerësoi se “zgjatimi i Portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”.
Ndërkohë që edhe për grupin projektues, ecuria e projektit është premtuese. “Është mjaft interesante sepse ne nisëm vetëm me këtë detyrë me ekipin dhe gjatë punës u bëmë shumë entuziastë, lidhur rentabilitetin dhe mundësitë e projektit, kështu që ka një entuziazëm në rritje dhe brenda ekipit” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.