Aktualitet 1 Shtator 2022, 10:32

Prokurori dhe avokati përgënjeshtrojnë ministrin e Brendshëm: Arsen Muskurti u dorëzua vetë!

Shkruar nga Pamfleti
Prokurori dhe avokati përgënjeshtrojnë ministrin e

Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllain dhe kunatën, dy ditë më parë.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, autori i ngjarjes së rëndë u shfaq i qetë dhe me lot në sy.

Disa herë madje ai përshëndeti dhe mediat.

Avokati i tij Suad Idrizi foli për klientin pasi vetë Muskurti i pyetur nga gjyqtari kishte zgjedhur të mos përgjigjej.

Prokurori Dritan Nushi i cili ka hetuar dosjen,  ka bërë me dije para gjykatës se në fakt Arsen Muskurti është dorëzuar në polici, ndryshe nga sa u shpreh ministri Çuçi i cili përgëzoi policinë për kapjen e autorit të vrasjes së dyfishtë.

Edhe avokati i të pandehurit tha për gazetarët se Arsen Muskurti nuk ka tentuar të largohet, por u vetëdorëzua në polici dhe nuk u arrestua nga policia sikurse u deklarua.

Avokati kërkoi arrest në burg 30 ditë për Arsen Muskurtin, sipas të cilit, klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe për këtë merr mjekim. Sa i përket armës, avokati tha se e ka me leje. Ndërsa problemet me vëllain kanë nisur që prej vitit 2018, kohë kur ka nisur dhe mjekimin.

“Arsen Muskurti është dorëzuar vetë konkretisht. Kam parë shumë trillime nga mediat që ka dashur të ikte në Dibër me bashkëshorten, por është dorëzuar vetë. Më ka kërkuar mua personalisht që ta dorëzoj Arsenin. Kemi shkuar në ambientet e policisë, kemi bërë të gjitha procedurat pasi kishte kryer krimin. Ndërsa sot deklaroi që duhet të mbrohet vetëm me avokat. Unë kërkova masë sigurie 30 ditë pasi gjendja mendore, psikologjike e tij është e jashtëzakonshme, merr mjekim. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe të ndjerës. Kishte që nga 2018 që kishte probleme me vëllain, aty ka filluar edhe mjekimin. Nuk është arratisur, por ka dashur të dorëzohet. Arma është me leje”, u shpreh avokati mbrojtës i Arsen Muskurtit.

Ai deklaroi gjithashtu se gjatë periudhave të ndryshme kohore, në komisariat ka patur kallëzime të bëra si nga Arsen Muskurti ashtu dhe nga vëllai i ndjerë i tij Alban Muskurti, të dy ndaj njëri-tjetrit.

Krimi i rëndë që trondit kryeqytetin dy ditë më parë mendohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve për pronat mes dy vëllezërve Muskurti.

Ndërsa dje Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi me anë të një postimi përgëzoi policinë e Tiranës për arrestimin në kohë rekord të autorit të ngjarjes së dyfishtë.

“Përgëzime Policisë së Tiranës që në kohë rekord arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë me dy jetë të humbura. Të vendosur për të goditur krimin, me bindjen se vetëm kështu krijojmë siguri për shoqërinë dhe nuk vëmë në rrezik të ardhmen tonë.”, shkroi Çuçi.

4 viktima nga krimi në familje brenda 24 orëve, Bledi Çuçi përgëzon policinë

Aktualitet Arsen Muskurti Bledi Çuçi