
Prokuroria e Durrësit konfirmon zyrtarisht procedimin penal ndaj sheikut nga Gramshi, skanim pasurisë nëpërmjet bashkëpunimit me ILDKPKI
Prokuroria e Durrësit ka thelluar hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ditët e fundit ka pasur debate sa i takon hetimit ndaj tij, ku një pistë është hedhur dhe ajo e arrestimit. Mirëpo avokati i Llallës deklaroi të hënën se ndaj tij prokuroria nuk ka regjistruar asnjë procedim penal dhe s’ka se si të lëshohet urdhër arresti ndaj tij. Për këtë arsye, gazeta ju drejtua me një shkresë Prokurorisë së Durrësit, për t’u informuar nëse ka apo jo një procedim penal ndaj ish-kryeprokurorit.
Në përgjigjen e kthyer për gazetën, prokuroria ka konfirmuar se ka nisur procedim penal ndaj zotit Llalla. “Lidhur me informacionin e kërkuar nga Ju, për sa mund tu sqarojmë pa cenuar sekretin hetimor: Ju vëmë në dijeni se më datë 15.03.2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr 447 të regjistruar në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë , interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale “ dhe të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 257/a, 179/a, 287 dhe 248 të Kodit Penal”, thuhet në shkresën e Prokurorisë së Durrësit. Kjo do të thotë se hetimet ndaj ish-kryeprokurorit janë thelluar.
Fillimisht ndaj tij nisi hetimi kryesisht për shkak të akuzave të lëshuar nga SHBA, mirëpo pas grumbullimit të informacioneve, prokuroria ka regjistruar procedim penal për 4 akuza. Por gazeta ka mësuar detaje dhe sa i takon hetimeve. Duke qenë se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla hetohet edhe për mosdeklarim të ardhurash dhe pastrim parsh, prokuroria po bashkëpunon me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Burime nga këto të fundit i thanë gazetës se janë në kontakte me organin e akuzës për shumë çështje, përfshirë dhe hetimin e ish-kryeprokurorit.
Në të vërtetë kanë qenë ILDKP dhe DPPPP organet që fundosën Llallën, pasi në shkresat që paraqitën pranë komisionit të vetingut, këto dy organe deklaruan se Llalla dyshohet e ka fshehur të ardhurat dhe ka pastruar para. Por duke qenë se dosja e KPK nuk është e mjaftueshme, mësohet se prokuroria ka kërkuar materiale shtesë për këtë çështje duke treguar se ka një angazhim të gjerë institucional për këtë çështje.
Hetim pronave
Fokusi i prokurorisë është përqendruar te pronat e ish-kryeprokurorit, pasi ILDKPKI ka vërejtur parregullsi. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerësoi pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për një apartament në Durrës. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja.
E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Tiranë. Qeha Shytaj e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKPKI ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera, kryesisht toka, të cilave u është ndryshuar vlera në periudha shumë të shkurtra kohore. Ajo që ka ngritur akoma dhe më shumë dyshime është se ka pasur lëvizje të tilla në periudhën 2016-2017, periudhë kur kishte nisur vetingu. Por gjithashtu në Tiranë kanë mbërritur dhe të dhëna nga SHBA, që rëndojnë pozitën e ish-kryeprokurorit./Sot