
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detajet mbi arrestimin e zyrtares Alda Klosi. Kjo e fundit u prangos pas dëshmisë së pastrueses Rozeta Dobi, e cila ka treguar me detaje se si ish-drejtoresha e Koncesioneve i ka dhënë shuma të mëdha parash për t’i ruajtur, ndërkohë që dhe skenën e grabitjes e kanë inskenuar së bashku.
Pas afro një muaji heshtje, Rozeta Dobi ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë. Pak kohë më parë prokurorët i ofruan saj lehtësira për të dhe djalin nëse tregonte se ku i kishte gjetur të gjitha paratë. Ajo është bindur të flasë dhe dje në një dëshmi prej 7 orësh ka treguar se në fakt, nuk kishte grabitje, por inskenim.
Sipas saj, Alda Klosi kishte probleme me bashkëshortin dhe kishte thurur plan që vjedhjen t’ia faturonte atij. Ajo prej kohësh dërgonte para në banesën e Rozeta Dobit dhe i kërkonte t’i ruante. Ndërkohë që më pas i kishte kërkuar që të inskenonte grabitjen. Ajo i kishte thënë që të merrte 120 mijë eurot në banesë, pasi vetë Klosi do të padiste bashkëshortin për vjedhjen.
Prokuroria shprehet se ndaj saj rëndojnë 3 akuza, ndërkohë që bën me dije se hetimet janë në një fazë komplekse. Nga ana tjetër prokuroria jep sinjale se mund të ketë hetime dhe për persona të tjerë. Pastruesja ka dëshmuar dhe ka pastruar dhe banesa të tjera zyrtarësh ku ka gjetur para.
“Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të“, njoftoi prokuroria.
Njoftimi i prokurorisë
Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi.
Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases Alda Klosi. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases Alda Klosi, e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.
Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases Alda Klosi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.
Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të.