
Ditën e sotme, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po vijon debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Në Kuvend po flet edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen i inkurajoi ligjvënësit që ta mbështesin propozimin francez por shtoi se nëse duan të presin për një ofertë më të mirë, janë në të drejtën e tyre.
Deklaratat e presidentes së KE-së janë shoqëruar edhe me kontestime nga deputetë të opozitës, por ajo i falënderoi për “demonstrimin e një sjellje demokratike.”
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim që gjuha maqedonase është e juaja dhe duhet të respektohet.”, tha ajo në Kuvendin e RMV-së.
Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.