Kosova31 Tetor 2022, 07:41

Propozimin franko-gjerman për Kosovën, Britania: Jemi kundër çdo marrëveshje që përfshin ndryshime kufijsh

Shkruar nga Pamfleti

Përfaqësuesi special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach

Përfaqësuesi special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, çdo iniciativë e re, siç është propozimi franko-gjerman, vlen të merret në konsideratë dhe theksoi se dialogu duhet të çojë në një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Ai paralajmëroi se nga ana tjetër, statusi i pazgjidhur mes Serbisë dhe Kosovës është më i përshtatshmi për Rusinë, në kontekstin e konfliktit aktual me Perëndimin.

Ai ka përsëritur se Britania e Madhe është kundër shkëmbimit të territoreve apo ndarjes, duke iu referuar mediave nga Prishtina.

“Britania është qartësisht kundër tërheqjes së kufijve përgjatë vijave etnike, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shkëmbime tokash apo ndarje, ne nuk e mbështesim këtë. Çdo bisedë për ndryshime kufijsh sjell vetëm diskutime të padëshiruara në të ardhmen. Mbretëria e Bashkuar ka qenë e qartë se ne jemi kundër çdo marrëveshje që përfshin ndryshime kufijsh përgjatë vijave etnike. Për sa më përket mua, kjo nuk është në tryezë”, tha diplomati britanik.

Peach ka thënë se nuk sheh potencial për destabilizimin në Kosovë, dhe sipas tij, Rusia është përgjegjëse për mosarritjen e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Synimi i Rusisë është të mbajë Ballkanin Perëndimor, si zonë paqëndrueshmërie, në distancë nga BE-ja dhe NATO-ja. Për ta arritur këtë, nuk ka nevojë të destabilizohet Kosova, por vetëm të sigurohet që integrimi i saj ndërkombëtar të jetë në ngërç”, përfundoi Peach.

Prishtine #Propozimin franko-gjerman për Kosovën Britania

Kosova