Politike23 Prill 2019, 08:35

Protesta dhe bllokim rrugësh, PD- LSI ndjekin skenarët ruso-serbë për destabilizimin e vendit

Shkruar nga Pamfleti
Protesta dhe bllokim rrugësh, PD- LSI ndjekin skenarët ruso-serbë

Protesta dhe bllokim rrugësh, PD- LSI ndjekin skenarët ruso-serbë për destabilizimin e vendit

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kanë detyruar liderin demokrat Lulzim Basha që të shkohet sërish te skenarët ruso-serbë për destabilizimin e vendit. Basha javët e fundit nisi të tërhiqej nga skenarët e dhunës dhe protestat, ndërsa dha sinjale se mund të futet në zgjedhje. Por Berisha-Kryemadhi u hodhën menjëherë në sulm, duke ja bërë të qartë se nuk mund të ketë zgjedhje me Ramën. Madje vetë Berisha e tha në një studio televizive se do kemi një 1997 të dytë. Dje janë dhënë sinjale se Basha ka filluar t’u bindet urdhrave të tyre, duke sfiduar në një farë mënyre dhe ndërkombëtarët.

Kreu demokrat ka mbledhur dje Këshillin e Kryetarëve dhe më pas ka pasur një takim me kryetarët e bashkive të PD, ku janë marrë disa vendime për aksionin e ri opozitar. Dje në këto takime u vendos që të vijohet me protesta kombëtare. Protesta e radhës do të jetë më 11 maj dhe do të mbahet në orën 18.30. Pra do të protestohet sërish natën, ashtu sikundër ndodh dhe në Serbi e në Mal të Zi. Prej ditësh kanë dalë fakte se si opozita shqiptare proteston në të njëjtën kohë me opozitat në Beograd dhe në Podgoricë, duke shtuar dhe zërat se ky është një skenar rus. Edhe dje u vendos që të vijohet me të njëjtin model.

Protesta do zhvillohet në mbrëmje, ndërsa do ketë po ashtu dhe marshime, pasi plani është që të nisë te Kryeministria tubimi dhe më pas protestuesit të zhvendosen te Parlamenti. Por, sa i takon protestave para Parlamentit, Basha duket se është tërhequr, pasi është vendosur që të ndryshojë strategjia e reagimit. Ishte LSI ajo e cila pak ditë më parë kërkonte që të dilet me metoda të reja dhe dje u vendos që të enjteve të bllokohen rrugët nacionale në vend, shkruan Sot. Para Parlamentit mund të dalin vetëm të rinjtë e FRPD dhe LRI, ndërsa akset nacionale në vend pritet që të bllokohen për rreth 1 orë çdo të enjte, me qëllim paralizimin e qarkullimit. Mbetet të shihet se sa mbështetje do gjejë kjo lëvizje e fundit, pasi me bllokimin e rrugëve janë qytetarët e zakonshëm ata që e pësojnë dhe aspak qeveria.

Lufta në opozitë

Opozita shqiptare është mbërthyer nga një “luftë” e brendshme. Pas djegies së mandateve, Basha, Berisha e Kryemadhi deklaruan se do shkohet te destabilizimi i vendit. Një gjë e tillë u tentua të realizohej përmes protestave të dhunshme, duke sulmuar Kryeministrinë dhe Parlamentin. Por ndërkombëtarët reaguan menjëherë dhe ja bënë të qartë Bashës e Kryemadhit se nuk duhet të ketë dhunë. Madje dhe zyrtari i DASH, Matthew Palmer gjatë takimeve që pati me ta pak javë më parë kërkoi që të mos ketë dhunë dhe të shkohet në zgjedhje. Basha nisi të ndryshojë qëndrim. Në protestën e 13 prillit ishte paralajmëruar se do kishte dhunë, pasi shihej si protesta finale pas atyre të 16 shkurtit dhe 16 marsit.

Por nuk ndodhi asgjë e tillë, përveç disa përplasjeve me policinë. Po ashtu lideri i PD mblodhi Kryesinë dhe dha sinjale se do hyjë në zgjedhje. Në Këshillin Kombëtar më pas Basha i pyetur nga anëtarët la të nënkuptohet se mund të shkojë drejt një pakti të ri me Ramën për t’i dhënë fund krizës. Të gjitha këto irrituan Berishën e Kryemadhin. Në të njëjtën ditë, liderja e LSI dhe ish-kryeministri dolën në intervista televizive duke i dërguar mesazhe në distancë Bashës. Berisha u shpreh i prerë se nuk do ketë marrëveshje me Ramën pa u larguar si kryeministër, ndërsa po ashtu foli për përplasje civile nëse mbahen zgjedhjet pa PD. Basha si duket se ka marrë mesazhin dhe ndryshoi kurs, duke shkuar sërish te skenarët rusë për të futur në kaos vendin.

Politike PD-LSI Sali Berisha