Politike19 Nëntor 2022, 22:07

Protesta e 6 dhjetorit, reagon Olta Xhaçka: Thirrja e Berishës e turpshme

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e 6 dhjetorit, reagon Olta Xhaçka: Thirrja e Berishës e

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e ka quajtur të turpshme, protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha më 6 dhjetor, ditën kur liderët e BE do të vizitojnë Shqipërinë.

Xhaçka me anë të një postimi në rrjetet sociale është shprehur se 6 dhjetori do të jetë një ditë krenarie për Shqipërinë dhe se shqiptarët nuk do ta ndjekin pas Berishën atë ditë.

Ajo shtoi se Sali Berisha është një kapitull i mbyllur me turp për shqiptarët dhe për Evropën dhe se turpin e tij tani po kërkon ta kthej në turpin e shqiptareve.

Është e turpshme ajo që kërkon të bëjë Sali Berisha në 6 dhjetor duke u përpjekur të turpërojë Shqipërinë pikërisht në ditën kur sytë e gjithë Evropës janë tek Shqipëria për Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.

6 dhjetori është një moment krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të cilësdo bindje politike. Sepse është një arsye për t’u ndjerë krenar kur BE vendos ta vlerësojë Shqipërinë, reformat, punën, progresin, politikën e saj të jashtme, duke organizuar këtij samitin e saj ku do të marrin pjesë krerët e shtetit të mbarë vendeve anëtare e rajonit.

Është pra një ditë për të nxjerrë në pah më të mirën që mund të ofrojë ky vend e ky popull.

E padyshim, Sali Berisha nuk është më e mira që mund të ofrojë ky vend. Përkundrazi,  Sali Berisha është një kapitull i mbyllur me turp për shqiptarët dhe për Evropën, nën peshën e skandaleve e korrupsionit, që tani turpin e tij po përpiqet ta bëjë turpin e shqiptarëve. Sepse ajo protestë nuk turpëron as Qeverinë, as Kryeministrin, as Partinë Socialiste, por shqiptarët dhe Shqipërinë.

6 dhjetori do të jetë një ditë krenarie për Shqipërinë, pavarësisht ëndrrave e planeve të Sali Berishës, sepse qytetarët shqiptarë do t’i rrinë larg këtij njeriu që ka treguar më se njëherë, që për hallin e vet është gati të turpërojë vendin,” shkruan Xhaçka.

Politike Berisha Protesta xhacka